Broja pas humbjes me Anglinë: “Golat ishin të evitueshëm, dua të harroj këtë vit të vështirë”

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, komentoi humbjen 2-0 ndaj Anglisë, duke shprehur keqardhjen për golat e pësuar, të cilët sipas tij ishin lehtësisht të evitueshëm. Pas ndeshjes, në një prononcim për mediat, Broja pranoi se përballja ishte e vështirë, duke qenë se përpara kishin një kundërshtar të një niveli shumë të lartë.

“E dinim që do të ishte një sfidë e madhe. Anglia është një prej ekipeve më të mira, në një nivel me Francën, Belgjikën, Holandën dhe Spanjën. Kemi qenë të vetëdijshëm për cilësinë e kundërshtarit, por gjithçka është e mundur në fushë,” u shpreh sulmuesi shqiptar.

Sipas Brojës, skuadra kuqezi ka pasur mundësi reale për të shmangur golat që pësoi, duke vlerësuar se nuk ishin aksione veçanërisht të rrezikshme apo spektakolare nga ana e anglezëve. Ai theksoi se golat erdhën nga momente pakujdesie dhe përqendrim i munguar në mbrojtje.

“Njëri gol ishte thjesht një pasim pas shpine dhe tjetri një krosim në shtyllën e dytë. Ishin situata që mund të menaxhoheshin më mirë. Me pak më shumë vëmendje, këto gola mund t’i kishim evituar,” shtoi Broja.

Për sulmuesin, kjo ndeshje kishte një rëndësi të veçantë, duke qenë se sapo është kthyer nga një periudhë e gjatë dëmtimesh. Broja rrëfeu se ky vit ka qenë shumë i vështirë për të në aspektin fizik dhe emocional, duke shtuar se prioritet tani mbetet rikuperimi plotë i formës dhe shmangia e dëmtimeve të reja.

“Ka qenë një vit shumë i vështirë për mua personalisht. Jam fokusuar plotësisht te vetja dhe te shëndeti im fizik, që të mos përballem sërish me probleme dëmtimesh. Në këtë ndeshje ndjeva që trupi dhe loja ime po shkonin në drejtimin e duhur,” u shpreh Broja.

Në fund, ai shprehu mirënjohjen ndaj tifozëve shqiptarë që ishin të shumtë në numër dhe i dhanë kurajo ekipit përgjatë gjithë takimit. Broja shtoi se ishte shumë i lumtur që u rikthye te Kombëtarja dhe mezi pret të japë kontributin maksimal në ndeshjet e ardhshme.

Ndaj Postimin: