Armando Broja po kalon testet mjekësore dhe pritet të firmos kontratën për t’u bashkuar me Burnley në Premier League.
Sulmuesi shqiptar Armando Broja është shumë pranë transferimit te Burnley, ku do të vazhdojë karrierën e tij në Premier League pas largimit nga Chelsea. Palët kanë arritur një marrëveshje parimore, ndërsa tani mbeten vetëm formalitetet për zyrtarizimin e marrëveshjes.
Sipas mediave britanike, oferta për Brojën vlerësohet rreth 20 milionë euro dhe përfshin klauzola të veçanta që i shërbejnë të dyja palëve. Vetëm testet mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës mungojnë për ta bërë transferimin zyrtar.
Gazetari i njohur Fabrizio Romano raportoi se Broja ka kaluar pjesën kryesore të testeve mjekësore gjatë pasdites, vetëm 24 orë pas arritjes së marrëveshjes midis Chelsea dhe Burnley. Ai tani po pret të përfundojë edhe pjesën tjetër të procedurave dhe të firmos kontratën për t’u bashkuar me skuadrën.
Vonesat në finalizimin e transferimit kanë ardhur për shkak se Burnley luajti një ndeshje miqësore ndaj Stoke gjatë pasdites, dhe vonoi përfundimin e disa formaliteteve.
Pas zyrtarizimit, Broja do të jetë nën urdhrat e trajnerit Scott Parker dhe do të përbëjë një pjesë të rëndësishme të skuadrës së re në Premier League.
Ky transferim shënon një kapitull të ri për sulmuesin shqiptar, i cili kërkon të kthehet në formën më të mirë dhe të bëjë diferencën në elitën angleze.


