Qeveria britanike ka ngrirë asete ruse me vlerë gati 30 miliardë euro (25 miliardë paund) që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, sipas shifrave zyrtare të publikuara së fundmi. Ky veprim është pjesë e masave të ashpra të sanksioneve të vendosura nga Mbretëria e Bashkuar, e cila ka bashkëpunuar ngushtë me aleatët e saj për të ndëshkuar Rusinë pas pushtimit të Ukrainës.
Thesari i Mbretërisë së Bashkuar e ka quajtur këtë lëvizje si një ndër veprimet më të ashpra që Rusia ka parë ndonjëherë. “Sanksionet kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë ruse, duke privuar atë nga mbi 400 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës,” tha Ministria e Financave në një deklaratë. Sipas këtij raporti, ky shumë është ekuivalente me katër vjet shpenzime ushtarake të Rusisë.
Ndër pasojat kryesore të këtyre sanksioneve janë përfshirë dobësimin e vlerës së rublës dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në shtetin rus. Ministria e Financave theksoi gjithashtu se pas vendosjes së sanksioneve britanike, ushtria ruse ka kërkuar furnizime nga shtete si Koreja e Veriut dhe Irani për të plotësuar nevojat e saj.
Që nga marsi i vitit 2024, Britania ka targetuar mbi 2000 individë dhe subjekte të lidhura me regjimin e presidentit Vladimir Putin përmes sanksioneve ekonomike. Këto masa kanë përfshirë bllokimin e aksesit në pasuritë dhe asetet e individëve që janë të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin rus.
Në përvjetorin e tretë të pushtimit të Ukrainës, qeveria britanike shpalli një raund të ri sanksionesh, duke përfshirë mbi 100 individë dhe subjekte të tjera që akuzohen për mbështetje të vazhdueshme të pushtimit rus. Përveç Rusisë, sanksionet kanë goditur gjithashtu shtete si Kina dhe Koreja e Veriut për rolin e tyre në mbështetje të veprimeve ushtarake ruse.
Ndërkohë, ndërsa individët e lidhur me regjimin e Putinit janë bllokuar nga mundësia për të përdorur pasuritë e tyre, Britania dhe aleatët e saj nuk kanë marrë ende kontrollin e këtyre aseteve. Deputetët britanikë kanë bërë thirrje për sekuestrimin e aseteve të ngrira, një propozim që ende nuk ka gjetur mbështetje nga qeveria.
Pavarësisht sfidave të vazhdueshme për të kufizuar mundësitë ekonomike të Rusisë, qeveria britanike ka shprehur angazhimin e saj për të vazhduar me masat sanksionuese deri në fund të pushtimit rus të Ukrainës.