Brenda xhamisë së Namazgjasë, ja si duket shtëpia më e madhe e muslimanëve në Shqipëri.

Në prill të vitit 2013, 21 vite pas vendosjes së gurthemelit të parë, u nënshkrua marrëveshja mes qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për ndërtimin e xhamisë së re qendrore, në një ceremoni që përkoi me festimin e Mevludit (ditëlindjen e profetit Muhammed).

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Selim Muça, kryetari i atëhershëm i KMSH-së, kryeministri Sali Berisha dhe kryebashkiaku Lulzim Basha.

Një vit më pas, në tetor të vitit 2014, qeveria e Edi Ramës dha lejen e nevojshme për ndërtimin e xhamisë. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, përfaqësues i Partisë Socialiste, arsyetoi ndërtimin e xhamisë edhe për përfitimet që sjell për ekonominë lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Edhe pse ndërtimi ishte planifikuar të fillonte në janar të vitit 2015, themelet u hodhën më 13 maj 2015, në një ceremoni ku morën pjesë Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdoan. Ndërtimi i xhamisë u planifikua të përfundojë brenda tre viteve, pra të ishte gati në vitin 2018, duke u realizuar nën mbikëqyrjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe me mbështetje financiare nga fondacioni turk Türkiye Diyanet Vakfı.

Projektuar për t’u ndërtuar në stilin klasik turk, xhamia ka katër minare me lartësi 50 metra dhe një kupolë qendrore 30 metra të lartë. Sipërfaqja e përgjithshme e xhamisë është rreth 10,000 m² dhe përfshin një qendër kulturore, sallë konferencash, bibliotekë, sallë ekspozitash, restorante, dhoma pune dhe dhjetë klasa për mësimin e fesë islame dhe Kuranit.

Xhamia është planifikuar për të mirëpritur deri në 4,500 besimtarë njëkohësisht, duke ofruar një hapësirë të gjerë për falje dhe për aktivitete të tjera kulturore e fetare. Kjo xhami synon të shërbejë jo vetëm si vend faljeje por edhe si një qendër ku komuniteti të mund të bashkohet dhe të zhvillojë aktivitete arsimore dhe kulturore.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera