Brad Pitt dhe “F1 the movie” ndezin Nju Jorkun në premierën e shumëpritur hollivudiane

Filmi “F1 the movie” u prezantua në New York mes yjeve të Formula 1 dhe Hollivudit dhe pritet të jetë hiti i verës

Nju Jorku u kthye në kryeqytetin e adrenalinës dhe yjeve me premierën e filmit më të ri “F1 the movie”, një projekt i drejtuar nga regjisori Joseph Kosinski, i njohur për suksesin “Top Gun: Maverick”. Eventi u zhvillua me bujë të madhe, ku në rreshtin e parë spikatën emrat më të mëdhenj të garave me makina.

Brad Pitt, i cili jo vetëm interpreton rolin kryesor, por edhe bashkëprodhoi filmin, u shfaq në tapetin e kuq së bashku me aktorët Damson Idris dhe Kerry Condon. Atyre iu bashkuan edhe emra të njohur të pistave, përfshirë Lewis Hamilton, i cili ka dhënë kontribut si producent dhe këshilltar teknik i filmit.

Pjesë e kësaj mbrëmjeje madhështore ishin edhe pilotë si Lando Norris, Charles Leclerc, Carlos Sainz, Esteban Ocon, Pierre Gasly dhe të tjerë që përfaqësojnë elitën e Formula 1. Prezantimi i filmit u bë në praninë e presidentit të Formula One Group, Stefano Domenicali, duke e kthyer eventin në një bashkim të jashtëzakonshëm mes sportit dhe kinemasë.

Filmi do të shfaqet për publikun më 25 qershor në kinematë ndërkombëtare, ndërsa në SHBA do të nisë më 27 qershor. Interesimi është i lartë dhe projekti pritet të shndërrohet në një nga sukseset më të mëdha të verës, duke tërhequr jo vetëm adhuruesit e automobilizmit, por edhe publikun e gjerë.

Historia ndjek rrugëtimin e Sonny Hayes, një pilot legjendar i Formula 1 që humbi gjithçka pas një aksidenti në vitet ’90. Tre dekada më pas, një ekip që po lufton për mbijetesë e fton Sonin të rikthehet në garë dhe të udhëheqë skuadrën drejt lavdisë.

Duke bashkëgaruar me një pilot të ri dhe të talentuar, Sonny përballet me një botë që ka ndryshuar dhe një rrugëtim që kërkon më shumë se shpejtësi – kërkon guxim, përkushtim dhe rikthim të vërtetë në jetën që ai kishte humbur.

“F1 the movie” sjell një përzierje emocionuese të shpejtësisë, dramës njerëzore dhe pamjeve mahnitëse të garave, që pritet të elektrizojnë ekranin dhe të frymëzojnë audiencën globale.

Ndaj Postimin: