Erion Braçe kërkon ndëshkimin e çdo bujku që përdor pesticide mbi normë, ndërsa akuzon Ministrinë e Bujqësisë për heshtje ndaj rastit të bllokimit të domateve shqiptare në Kroaci.
Deputeti socialist reagoi ashpër pas lajmit se një ngarkesë domatesh nga Shqipëria u bllokua në Kroaci për shkak të pranisë së pesticideve mbi nivelin e lejuar. Ai e quajti këtë shkelje “krim me ushqimin” dhe tha se çdo bujk që e praktikon duhet të marrë ndëshkim të merituar.
Braçe sqaroi se përdorimi i pesticideve në Shqipëri është i ligjshëm kur respektohen normat dhe afatet e përcaktuara me ligj, ashtu si në vendet fqinje dhe në BE. Sipas tij, analiza të ngjashme në produkte që vijnë nga Greqia, Turqia apo vende të tjera do të tregonin praninë e pesticideve, duke theksuar se kjo nuk është diçka unike për Shqipërinë.
Ai nënvizoi se Shqipëria nuk prodhon pesticide prej 35 vitesh, por i importon ato kryesisht nga Kroacia dhe Sllovenia, si produkte të ligjshme. Braçe kërkoi ndalimin e “histerisë publike” dhe kujtoi se vetëm vitin e kaluar Shqipëria i ka shitur Kroacisë mbi 9 mijë tonë perime e fruta të shëndetshme, ndërsa këtë vit janë eksportuar mbi 6 mijë tonë me vetëm një rast shkeljeje.
Deputeti kritikoi ashpër Ministrinë e Bujqësisë për mungesë reagimi, duke e akuzuar se raporton vetëm sasinë e prodhimit, por jo vlerën reale, dhe se nuk po mbron tërësinë e prodhimit vendas. Ai paralajmëroi se humbjet nga TVSH-ja dhe kursi i këmbimit në eksport po e çojnë fermerin drejt vendimeve të nxituara, si vjelja para afatit të karencës.
Sipas Braçes, qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht me një skemë mbështetëse që të nxisë mbrojtjen biologjike të kulturave bujqësore.