Braçe: Çmimi i naftës u rrit me një SMS, Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj mënyrës së funksionimit të tregut të karburanteve, duke deklaruar se rritja e fundit e çmimit të naftës është koordinuar përmes një mesazhi të shpërndarë tek pikat e shitjes.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, Braçe tha se çmimi i naftës ndryshoi rreth orës 16:00 të një dite më parë, sipas një SMS-je të dërguar në celularët e përgjegjësve të pikave të karburantit në të gjithë vendin. Sipas tij, çmimet më të larta regjistrohen në pikat e markave të njohura, ku litri i naftës varion nga 198 deri në 202 lekë.

Deputeti socialist ironizoi se prej vitesh këto kompani duket sikur e kanë “sfidë personale” mbajtjen e çmimit mbi nivelin 200 lekë për litër.

Braçe akuzoi Shoqatën e Hidrokarbureve se vepron si një kartel që dikton rritjen e çmimeve në treg. Ai pretendoi se mesazhet për ndryshimin e çmimit nuk shpërndahen vetëm nga drejtuesit e kompanive, por edhe nga zyrtarë të kësaj shoqate, veçanërisht tek pikat e pavarura.

Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron tek tregu i pakicës, por tek mënyra si funksionon tregu i shumicës. Braçe argumentoi se kompanitë nuk blejnë më drejtpërdrejt në bursë, por furnizohen përmes një brokeri që sjell karburantin në depozita në periudha të ndryshme kohore, duke shitur më pas me çmimin e ditës.

Ai shtoi se ky broker, sipas tij, nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk rezulton i regjistruar në organet tatimore në vend. Sipas Braçes, ky model furnizimi ka eliminuar përfitimet nga blerjet afatgjata në bursë, ku nafta mund të blihet me kontrata ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore apo 6-mujore.

Deputeti theksoi se zhvlerësimi i euros dhe niveli i ulët i dollarit nuk janë reflektuar në çmimet për konsumatorin, duke e lidhur këtë me modelin aktual të tregut që, sipas tij, nuk lejon transmetimin e avantazheve të kursit të këmbimit në çmimin final.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033