Në një deklaratë për mediat, Arben Bozdo ngriti shqetësimin për situatën e rëndë të shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, duke theksuar se mijëra fermerë në disa zona të vendit kanë pësuar dëme të mëdha në tokat dhe prodhimin e tyre.
Bozdo tha se përgjegjësia kryesore për këtë gjendje është mosmirëmbajtja e kanaleve kulluese, të cilat prej vitesh nuk pastrohen dhe nuk funksionojnë si duhet, duke bërë që reshjet intensive të kthehen menjëherë në përmbytje shkatërruese.
Sipas tij, situata e krijuar nuk është thjesht pasojë e motit të keq, por rezultat i neglizhencës institucionale, e cila ka lënë pa investime sektorin e kullimit dhe ujitjes. Ai u bëri thirrje autoriteteve të marrin masa urgjente për të ndihmuar fermerët dhe për të rikthyer funksionimin e kanaleve, që të mos përsëritet e njëjta krizë çdo vit.