Borova, kujtesë e përgjakshme e historisë që nuk shuhet me kohën

Masakra e 6 korrikut 1943 në Borovë u përkujtua me ekspozita, kurora dhe thirrje për kthimin e fshatit në vend pelegrinazhi përkujtimor

Përvjetori i 82-të i masakrës së Borovës u përkujtua me ndjenjë të thellë dhimbjeje e krenarie kombëtare në vendin ku ndodhi një nga krimet më të rënda të nazistëve në Shqipëri. Më 6 korrik 1943, forcat gjermane masakruan 107 banorë të pafajshëm të këtij fshati të qarkut të Korçës, duke mos kursyer askënd – nga foshnjat në djep, deri tek të moshuarit e gratë shtatzëna.

Në atë kohë, Borova ishte e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Djemtë dhe vajzat e këtij fshati ishin angazhuar me devotshmëri në çetat partizane, duke sfiduar pushtuesit. Pikërisht ky angazhim idealist u bë arsyeja pse fshati u kthye në objekt hakmarrjeje të nazistëve, të cilët, në koordinim me bashkëpunëtorët shqiptarë, përgatitën planin mizor që solli masakrën.

Ngjarjet nisën me vrasjen e kryetarit të këshillit të ANÇL të Borovës në qershor 1943 dhe kulmuan më 6 korrik me vrasjen masive. Në kujtim të kësaj tragjedie, këtë vit u organizua një ceremoni përkujtimore me praninë e autoriteteve vendore, organizatave të LANÇ-it, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe qytetarëve të shumtë.

Në shenjë nderimi, në vendin e ngjarjes u vendosën kurora dhe buqeta me lule, ndërsa flamuri kombëtar u valëvit nën tingujt e himnit shqiptar. Një ekspozitë me fotografi historike të masakrës u hap për të dokumentuar dhe rikujtuar përmasat e krimit, në një përpjekje për ta mbajtur gjallë kujtesën kolektive të popullit shqiptar.

“Borova është fshati që duhet të kthehet në vend pelegrinazhi, për shqiptarë e të huaj, për gjithë këtë histori njerëzore”, u shprehën banorët, të cilët kërkojnë që kjo histori të mos harrohet dhe të shërbejë si simbol i sakrificës dhe qëndresës kundër së keqes.

Në rrëfimet e të mbijetuarve, masakra e Borovës mbetet një plagë që nuk mbyllet kurrë. Është një dhimbje që flet përmes heshtjes, një thirrje për të mos harruar kurrë ata që ranë vetëm sepse donin lirinë.

Përkujtimi i kësaj dite shërben jo vetëm për nderim, por edhe si një reflektim për ruajtjen e vlerave njerëzore dhe respektimin e të drejtës për jetë, përballë çdo forme dhune apo urrejtjeje që historia nuk duhet ta lejojë të përsëritet.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: