Bordi i Paqes ka prezantuar zyrtarisht faqen e tij të internetit, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet për ndërtimin e një arkitekture më funksionale dhe efektive të paqes në nivel ndërkombëtar.
Në platformën zyrtare paraqiten 28 shtetet themeluese të organizmit, të shoqëruara me flamujt përkatës, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova. Dokumenti themelues i publikuar në faqe thekson një qasje pragmatike ndaj paqebërjes, duke argumentuar se paqja e qëndrueshme kërkon jo vetëm analizë racionale, por edhe veprime konkrete me rezultate të matshme.
Sipas deklaratës, ndërtimi i paqes afatgjatë mbështetet në fuqizimin e qytetarëve për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e tyre, si dhe në krijimin e partneriteteve të qëndrueshme, të bazuara në ndarjen e përgjegjësive dhe barrës ndërmjet shteteve. Theksi vihet gjithashtu te nevoja për një trupë ndërkombëtare më fleksibile dhe më efikase në menaxhimin e konflikteve, duke shmangur qasjet që, sipas dokumentit, krijojnë varësi dhe institucionalizojnë krizat.
Karta e Bordit të Paqes, e miratuar nga palët themeluese, synon një fushëveprim të gjerë global. Konflikti në Gaza nuk përmendet në mënyrë specifike në tekst, duke sugjeruar se ambicia e organizmit shtrihet përtej një konteksti të vetëm rajonal.
Mes 28 shteteve themeluese renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.