Moti i keq i shoqëruar me reshje intensive shiu ka krijuar probleme serioze në qarkullimin rrugor mëngjesin e së martës, duke përmbytur një pjesë të rëndësishme të aksit Tiranë–Durrës, pranë hyrjes së qytetit të Durrësit.
Si pasojë e grumbullimit të madh të ujit, kalimi i automjeteve në këtë zonë është bërë i pamundur, çka ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë për menaxhimin e situatës dhe shmangien e rreziqeve për përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore ka vendosur devijime të detyrueshme për mjetet që lëvizin në të dy drejtimet. Trafiku nga jugu drejt Tiranës do të kalojë përmes Rrugës së Plepave, duke vijuar në Ndroq dhe më pas në boshtin “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërsa automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të orientohen nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe më pas në itinerarin “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
Policia ka apeluar për kujdes maksimal, shmangie të udhëtimeve të panevojshme dhe respektim të plotë të udhëzimeve të dhëna në terren. Patrullat rrugore dhe shërbimet e rendit janë angazhuar për normalizimin e qarkullimit dhe ndihmën ndaj drejtuesve të mjeteve, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.