Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas ngre pikëpyetje mbi ndërhyrjet në Korridorin VIII

Bllokimi i segmentit Librazhd–Prrenjas ka rikthyer vëmendjen mbi ndërhyrjet e kryera në kuadër të projektit të Korridorit VIII dhe ndikimin e tyre në stabilitetin e infrastrukturës ekzistuese.

Rrëshqitjet e dherave dhe dëmtimet në trupin e rrugës kanë izoluar përkohësisht juglindjen e vendit, ndërsa aksesi alternativ përmes Maliq–Gramsh ka krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim, përfshirë radhë kilometrike dhe vonesa disaorëshe.

Segmenti është pjesë e projekteve të zgjerimit Elbasan–Qafë Thanë (Faza III dhe IV), të realizuara nga kompanitë “2T” dhe “ANK”, të cilat kanë përfituar kontrata me vlerë rreth 23.6 milionë euro secila sipas procedurave të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ndërkohë, në zonën ku janë evidentuar dëmtimet, po zhvillohen punime për trasenë e re të Korridorit VIII, ndërsa janë raportuar edhe ndërhyrje në shtratin e lumit Shkumbin.

Situata ka ngritur diskutime mbi masat mbrojtëse të marra gjatë punimeve dhe mbi kontrollin teknik të zbatimit të projekteve infrastrukturore.

Sipas të dhënave publike, kompania “2T” ka qenë objekt kontrolli nga BKH në kuadër të hetimeve mbi veprat publike. Deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga kompanitë për lidhjen mes punimeve dhe dëmtimeve të fundit në rrugë.

Çështja mbetet në vëmendje të autoriteteve, ndërsa Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetime për të përcaktuar përgjegjësitë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033