Blerjet e huaja të pronave rrisin çmimet në Shqipëri

Investimet e huaja direkte shënuan 760 milionë euro në gjashtë muaj, ku një pjesë e madhe e tyre, 34%, u orientuan drejt pasurive të paluajtshme.

Investimet e huaja në Shqipëri kanë ndryshuar orientim. Në vend të industrisë nxjerrëse apo energjisë, paratë po derdhen kryesisht në pasuri të paluajtshme. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, sipas Bankës së Shqipërisë, investimet direkte arritën në 398 milionë euro, një rritje modeste prej 3 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga kjo shumë, afro 135 milionë euro, ose 34% e totalit, u përdorën për blerje pronash. Praktikisht një në tre euro të investuara nga të huajt në Shqipëri gjatë muajve prill-qershor shkoi për apartamente dhe troje. Ky trend po e kthen sektorin e pasurive të paluajtshme në motorin kryesor të kapitalit të huaj.

Ekspertët e tregut theksojnë se Shqipëria mbetet një treg atraktiv për të huajt, pasi çmimet e banesave për ta konsiderohen të përballueshme. Megjithatë, ky interes i lartë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta: rritje të shpejtë të çmimeve për qytetarët vendas.

Përtej pronave, sektorët e tjerë kanë shfaqur dobësi. Aktivitetet financiare dhe sigurimet siguruan 67 milionë euro, industria nxjerrëse 43 milionë euro, energjia vetëm 23 milionë euro dhe komunikacioni 8 milionë euro. Këto shifra tregojnë se investimet e huaja po përqendrohen gjithnjë e më shumë tek një sektor i vetëm.

Në total, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, investimet e huaja direkte arritën 760 milionë euro, vetëm 11 milionë më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2024. Edhe në këtë pasqyrë gjashtëmujore, pasuritë e paluajtshme mbizotërojnë mbi çdo sektor tjetër.

Kjo zhvendosje e kapitalit të huaj drejt pronave ngre pyetje për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare, pasi varësia nga një sektor i vetëm rrezikon të dëmtojë balancat afatgjata.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033