Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Bankës Botërore, me fokus thellimin e bashkëpunimit strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurrues të sektorit të turizmit në Shqipëri.
Përmes një njoftimi në Facebook, ministri Gonxhja bëri të ditur se diskutimet u përqendruan në një sërë komponentësh kyç për rritjen e cilësisë dhe kapaciteteve të industrisë së turizmit. Ndër temat e trajtuara ishin standardizimi i destinacioneve natyrore, përmirësimi i furnizimit me ujë dhe i infrastrukturës kritike në zonat turistike, forcimi i strukturave të menaxhimit të destinacioneve (DMO), krijimi i një sistemi kombëtar të të dhënave të turizmit dhe avancimi i ndërlidhjes rajonale.
Gonxhja nënvizoi se këto elementë janë thelbësorë për ndërtimin e një sektori turistik të qëndrueshëm, modern dhe konkurrues në tregun rajonal dhe ndërkombëtar.
Palët rikonfirmuan angazhimin për zbatimin e Strategjisë së Turizmit 2024–2030, duke vënë theksin te objektivat afatgjata dhe rezultatet konkrete që synohen të arrihen. Ministri vlerësoi partneritetin me Bankën Botërore, duke e cilësuar si një aktor të rëndësishëm në mbështetjen e prioriteteve të zhvillimit të Shqipërisë në sektorin e turizmit.


