Bizneset nxisin rritjen e kredive për investime

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bizneset po e rrisin kërkesën për kredi, sidomos për investime, pavarësisht normave të interesit.

Vrojtimi tremujor i Bankës së Shqipërisë konfirmon se kërkesa për kredi e bizneseve u rrit fuqishëm në tremujorin e dytë 2025.
Rritja u shfaq në çdo kategori biznesi, por veçanërisht në kërkesat për financim investimesh. Kërkesat për mbulimin e likuiditetit afatshkurtër ishin më të moderuara.

Bankat e lidhin trendin me nevojat investuese, normat e favorshme të parasë dhe rritjen e besimit të sipërmarrjes. Ato presin që oreksi për kredi të zgjerohet sërish në tremujorin e tretë.

Standardet e kreditimit mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha dhe të vogla gjatë prillit–qershorit. E njëjta gjë vlen edhe për kreditë investuese dhe ato për likuiditet.

Shkalla e aprovimit të huave nuk ndryshoi, ndërsa faktorët e refuzimit panë lëvizje minimale. Bankat parashikojnë të ruajnë të njëjtat kritere edhe në tremujorin e tretë.

Portofoli i kredive të bizneseve arriti rreth 488 miliardë lekë në fund të majit. Vlera shënon rritje vjetore 12.7 %, duke ruajtur ritmet e viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë ka forcuar masat për të frenuar kreditimin, sidomos në pasuri të paluajtshme. Kufizimet në huatë për banesa mund të nxisin bankat të kanalizojnë më shumë fonde drejt sektorit të biznesit.

Ndaj Postimin: