Bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara për dy ditë në Abu Dhabi, kanë përfunduar pa një përparim konkret, në një kohë kur Rusia ka vijuar sulmet ajrore ndaj objektivave në Ukrainë.
Takimi u mbyll pas një vale bombardimesh ruse gjatë natës, nga të cilat humbi jetën një person dhe u plagosën 35 të tjerë. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet goditën kryesisht infrastrukturën energjetike në Kiev dhe Kharkiv, duke lënë rreth 6 mijë ndërtesa pa ngrohje, në kushte temperaturash që kanë zbritur deri në -12 gradë Celsius.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se ekziston mundësia e një raundi të dytë bisedimesh që javën e ardhshme, ndërsa një zyrtar amerikan konfirmoi se takimi i radhës pritet të nisë më 1 shkurt.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e cilësoi sulmin si “brutal” dhe tha se ai ishte urdhëruar “në mënyrë cinike” nga presidenti rus Vladimir Putin, duke shtuar se goditjet “kanë prekur jo vetëm qytetarët, por edhe tryezën e negociatave”.
Bisedimet në Abu Dhabi ishin takimi i parë trepalësh që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Sipas Zelenskyt, diskutimet u fokusuan te parametrat e mundshëm për përfundimin e luftës dhe nevoja për monitorim amerikan të procesit.
Palët ranë dakord të raportojnë në kryeqytetet përkatëse dhe të koordinojnë hapat e mëtejshëm me drejtuesit e tyre. Përfaqësuesit ushtarakë identifikuan gjithashtu disa çështje për një takim të mundshëm të ardhshëm.
Rusia kontrollon rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës, përfshirë pjesë të rajonit të Donbasit, ndërsa Kievi ka përjashtuar dorëzimin e territoreve. Zelensky theksoi se çështja e tokës mbetet problemi kryesor i pazgjidhur në negociata.