Takimi në pistën e aeroportit mes Trump dhe Putin u shoqërua me batuta e premtime që ngjallin dyshime për një marrëveshje të mundshme për Ukrainën.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin u takuan për herë të parë pas gjashtë vitesh në bazën ajrore Elmendorf në Anchorage, Alaska. Momenti, i ndjekur me interes global, nisi me një pritje të shkurtër në tapetin e kuq, ku Trump dukshëm i paduruar priti zbarkimin e Putinit nga avioni. Një lexues i buzëve zbuloi se fjala e parë e Trump ishte “Më në fund”.
Gjatë shtrëngimit të duarve, Trump i tha Putinit: “E bëre, kënaqësi të të shoh dhe e vlerësoj.” Sipas interpretimit të lexuesit të buzëve, të dy liderët shprehën gatishmëri për të ndihmuar njëri-tjetrin. Putin u përgjigj: “Jam këtu për të të ndihmuar”, ndërsa Trump shtoi me humor: “Do të të ndihmoj edhe unë.” Putini thuhet se shtoi se “mund ta ndalë gjithçka” nëse i kërkohet, me Trump që u përgjigj: “Shpresoj të ndodhë.”
Para se të hynin në automjetin e përbashkët, Trump i propozoi të “shkonin drejt makinës” për të ecur përpara në bisedime. Ai madje i ofroi Putinit një “informacion” për të cilin foli shkurt si “karburant ngarkese”, pa u bërë e qartë se për çfarë bëhej fjalë. Në podium, Trump e ftoi Putinin të shtrëngonin sërish duart “sepse jep përshtypje të mirë”, gjë që lideri rus pranoi, duke falënderuar shkurt.
Putini shmangu pyetjet e gazetarëve për Ukrainën dhe vrasjen e civilëve, ndërsa të dy liderët u drejtuan së bashku drejt ndërtesës ku do të zhvillohej takimi. Pak para mbërritjes së avionit të Trump, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se takimi kokë më kokë do të zëvendësohej me bisedime ku do të merrnin pjesë edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Ambasadori amerikan Steve Witkoff.
Gjatë udhëtimit drejt Alaskës, Trump deklaroi se synimi i tij ishte “të ndalonte vrasjet”, por pranoi se nuk kishte siguri nëse një marrëveshje armëpushimi do të arrihej atë ditë. Ai paralajmëroi se, nëse nuk do të merrte përgjigjet e nevojshme nga Putin, nuk do të kishte një takim të dytë, duke shtuar se “do të ketë pasoja shumë të rënda” për Moskën nëse refuzon ndalimin e luftës.
Liderët europianë kanë bërë të ditur se Trump ka pranuar ta vendosë armëpushimin si prioritet në fillim të negociatave – një kërkesë e vështirë për Rusinë që po avancon në terren. Megjithatë, Trump shprehu shpresë për një takim të dytë të shpejtë ku do të përfshihej edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, me qëllimin për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund konfliktit.


