Dosje rozë
Bimbashit të korrupsionit Pëllumb Salillari i sekuestrohen 15 telefona dhe laptopë. I gjejnë video me Zogun e Tiranës?! Pas Lulzimit për ndërtimet pa leje tenton të bëjë ‘kurban’ Bledar Starovën për aferat e tij me tendera.
Me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, një skuadër e BKH-së ka ushtruar kontrolle dhe ka bastisur këtë fundjavë zyrat e ish-faturinos së kthyer në oligark, Pëllumb Salillari, pjesë e dosjes së SPAK për ish-zv/kryeministren Belinda Balluku. Bastisjet në zyrat e ‘bimbashit’ të korrupsionit Pëllumb Salillari janë kryer në kuadër të procedimit nr. 136 të vitit 2025, për dyshime mbi abuzimin e fondeve publike në projektet e infrastrukturës rrugore.
Sipas burimeve, gjatë bastisjes që ka zgjatur disa orë, agjentët e BKH-së i kanë sekuestruar Salillarit të paktën 15 telefona dhe laptopë, në të cilët besohet se ka materiale me vlerë për hetimet. Krahas provave për tenderat korruptivë, si një prej përfituesve më të mëdhenj të fondeve publike, në telefonat e sekuestruar të Salillarit dyshohet se ka edhe komunikime, foto dhe video të natyrës erotike.
Në Gjykatën e Tiranës ka një proces gjyqësor mbi disa pretendime për një raport të dyshimtë mes Salillarit dhe Zogut të Tiranës, i dënuar për prostitucion, kodosh dhe orgji. Gjykata po shqyrton raportimet sipas të cilave Zogu i Tiranës ka qenë i ftuar special në një festë orgjie të organizuar nga Salillari në Maqedoni në vitin 2022. Salillari mohon raportin me Zogun e Tiranës dhe plagosjen më pas nga njëra prej të dashurave të tij për shkaqe xhelozie.
170 milionë euro para publike në 5 vite
Pëllumb Salillari është përfitues i qindra milionë eurove (para publike) përmes tenderave të paracaktuar me pazar në tavolinë, me oferta fituese sa fondi limit dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave publike, përmes deformimit të projekteve dhe situacioneve false, siç del edhe në dosjen e SPAK-ut. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, në llogarinë e kompanisë Salillari kanë kaluar mbi 170 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në shumë raste se Salillari, në bashkëpunim me supervizoren e tij Entela Çano, kanë mashtruar me zbatimin e kontratave për ndërtimin e veprave publike, me punime të pakryera, situacione false dhe deformim të projekteve me qëllim fitimi. Paratë e vjedhura dyshohet se i ka ndarë me zyrtarët e korruptuar, duke i pastruar në pasuri të paluajtshme, përfshirë edhe ndërtime pa leje.
Skemë korrupsioni me Entela Çanon
Konsiderohet si ‘noterja’ e oligarkëve për zhvatjen e parave publike përmes mashtrimit me kontratat publike për ndërtim rrugësh, ujësjellësash, rikonstruksion ndërtesash dhe punë të tjera publike, përmes devijimit të projekteve, situacioneve false për punë të pakryera dhe marifeteve të tjera, që të gjitha në funksion të maksimalizimit të përvetësimit të parave publike.
Ajo është supervizorja e famshme Entela Çano, ylli i Çuçkës së Kolonjës, e cila me kompaninë e saj A & E ENGINEERING sh.p.k. ka bërë kërdinë në buxhetin e shtetit, kompani e cila ka funksionuar si paketë me oligarkët, halldupët e tenderave publikë.
Jo rastësisht, Entela Çano, administratore dhe pronare e kompanisë supervizuese A & E ENGINEERING sh.p.k., rezulton nga hetimet e SPAK-ut në rolin e ‘tutores’ së kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka e Kolonjës, në aferat korruptive me tenderat publikë. Si ‘fillestar’ në operacionet e vjedhjes së parave publike, Çuçkës së Kolonjës i ofruan ‘ustalleshën’ Entela Çanon për kopsitjen e praktikave korruptive në Bashkinë e Kolonjës.
Si një zanatçije e vjetër e zhvatjes së fondeve publike, Entela Çano vepron me shpejtësi, ndërsa në komunikime tregohet e rezervuar, e matur dhe fjalëpakë, ndërsa Çuçka i nxituar dhe i paduruar, ku shprehet “jepi shefe”, “zjarr shefe”, “je yll”, “vulose tani” etj.
Entela Çano është ‘çelësi’ i vjedhjes me tendera i oligarkut Pëllumb Salillari, një prej hajnave më të frikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar, me një avantazh të dukshëm në raport me ‘ujqërit’ e tjerë të tenderave, pasi Salillari ka investuar miliona euro nga paratë e vjedhura, duke rekrutuar drejtues policie, gjyqtarë, prokurorë, hetues të BKH-së, madje edhe një prokuror të SPAK-ut.
Entela Çano është paketë me Salillarin kur ky i fundit përfiton një tender publik. Nëse Salillari fiton një tender, si zakonisht me pazar në tavolinë, mbikëqyrësja e punimeve duhet të jetë Entela Çano me kompaninë e saj të mashtrimit. Entela Çano është dora e Salillarit për certifikimin e punimeve të pakryera dhe deformimin e projekteve, me qëllim vjedhjen dhe ndarjen e parave publike.
Ndërtime pa leje
Pas puthjes që i dha Edi Rama në ballë, oligarku Pëllumb Salillari nisi të ndërtonte kate pa leje në të gjitha zonat e Tiranës. Këshilli Kombëtar i Territorit në shtator 2022 vendosi që Salillarit t’i sekuestrohej një objekt me sipërfaqe rreth 20 mijë metra katrorë dhe me një vlerë afro 12 milionë euro. Pallatin e kishte ndërtuar pa leje pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë.
Por ky vendim e humbi fuqinë rrugës, pasi Salillari ka rekrutuar një ushtri me gjyqtarë, prokurorë dhe policë. Oligarku arriti t’i mbante ndërtimet pa leje, ndërsa qeveria mbylli njërin sy. Prokuroria e Tiranës hapi një proces penal për ndërtim pa leje. Por Salillari kishte menduar edhe për këtë. Si administrator të kompanisë kishte vendosur vëllanë e tij, Lulzim Salillarin, qëllimisht për ta përdorur në rast dënimi.
Për t’i futur duart në punët e pista, Salillari kishte caktuar si administrator të kompanisë vëllanë e tij, Lulzim Salillari, ndërsa fitimet e punëve të pista i merrte vetë ish-faturinoja i autobusit të Beratit, i kthyer në oligark. Pas dy vitesh hetime, Prokuroria e Tiranës mori të pandehur ish-administratorin e shoqërisë “Salillari”, Lulzim Salillarin, të cilin Pëllumb Salillari e zëvendësoi me Bledar Starovën, si kurbanin e radhës. Lulzimi i shpëtoi burgut për shkak të moshës.
Atë që bëri me vëllain, Salillari tenton ta bëjë tashmë me Bledar Starovën, të cilin kërkon ta hedhë në gojën e SPAK-ut për të shpëtuar veten e tij si koka e aferave me tendera, korrupsion, pastrim parash, ndërtime pa leje, krime mjedisore etj. Mbetet për t’u parë nëse Starova do të pranojë të bëjë burg për Salillarin dhe nëse SPAK do të fokusohet te maska apo fytyra reale e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Park fotovoltaik në emrin e gruas dhe kunatit
Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues fotovoltaik në zonën e Levanit, Fier, nga shoqëria “Albania Solar Power” sh.p.k., me afat operimi 49 vjet dhe kapacitet 82 MW, një projekt që kërkon investime në vlerën e dhjetëra milionë eurove.
Shoqëria “Albania Solar Power” është regjistruar vetëm 16 muaj më parë, me një kapital themeltar prej vetëm 100.000 lekësh, ka administrator dhe pronar shtetasin Engjëll Agalliu nga Tërpani i Beratit, kunatin e oligarkut Pëllumb Salillari, dhe nuk ka asnjë bilanc financiar të publikuar në QKB.
Në këto kushte lind pyetja: si do të realizojë kjo kompani një investim që kap shifra rreth 35 milionë euro?
Sipas të dhënave, Engjëll Agalliu ka profesion mekanik për makineri industriale dhe këtë detyrë e ka ushtruar më herët në kompaninë “Salillari” sh.p.k. të biznesmenit të njohur Pëllumb Salillari. Në të njëjtën kompani kanë qenë të punësuar edhe vëllai i tij më i vogël, si dhe babai i tyre, Hektor Agalliu, me profesion magazinier.
Në terren, punimet për ndërtimin e centralit fotovoltaik nuk po i kryen “Albania Solar Power”, por kompania “Bervi Construction” sh.p.k., në administrim dhe pronësi të Afërdita Salillarit, bashkëshortja e Pëllumb Salillarit. Kjo kompani ka qenë deri më 10 tetor 2011 në pronësi të vetë Salillarit, me emërtimet “Salillari Construction” dhe “BERVI-1”.
Kjo skemë hedh dyshime të forta se financuesi dhe pronari faktik i centralit është vetë Pëllumb Salillari, i cili dyshohet se fshihet pas emrave të bashkëshortes dhe kunatit për të maskuar pronësinë reale të investimit.
Investimi po kryhet në rreth 40 hektarë toka bujqësore në fshatin Boçovë të Fierit, të cilat u përkasin fermerëve vendas dhe janë përfituar prej tyre sipas Ligjit 7501, duke i pasur në zotërim për mbi 33 vite.
Koncesioni 60 milionë euro për Portin e Vlorës në emër të punonjësit pensionist të Salillarit
Në Shqipëri, skandalet kanë nisur ta humbasin kuptimin si të tilla. Hektor Agalliu, pensionist nga Tërpani, punëtor i Pëllumb Salillarit, ka përfituar koncesionin për ndërtimin e Portit Tregtar të Vlorës, një projekt rreth 60 milionë euro. Koncesioni korruptiv ka kaluar qëllimisht në emrin e punonjësit të Salillarit, me qëllim që ky i fundit, kur të ngushtohet laku i drejtësisë, t’i shpëtojë burgut.
Më 10 gusht 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli koncesionin “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Portit të Integruar në Triport Vlorë”. Kompanitë që morën pjesë në këtë tender ishin tre, por fituese u shpall oferta e bashkimit të këtyre pesë subjekteve: Agbes Construction, që zotëronte 33% të aksioneve; Besta 30%; Arconstudio 25%; ITE Group 8% dhe Premium Construction & Maintenance 5%.
Në shtator 2022, Agbes Construction, e cila ishte aksionerja më e madhe e koncesionit, i shiti kuotat e saj për 100 mijë euro te shoqëria Premium Construction & Maintenance. Një muaj më pas u largua edhe një tjetër aksioner. Arconstudio i shiti 25% të aksioneve të tij për 2.500 euro. Blerësi ishte sërish Premium Construction & Maintenance. Pak kohë më vonë u largua edhe një aksioner tjetër, Besta, e cila i shiti 30% të aksioneve të saj për vetëm 3 mijë euro.
Premium Construction & Maintenance, e cila me këto tri blerje u bë pronare e 92% të aksioneve, për një çmim total prej 105 mijë eurosh.
Sipas dokumenteve zyrtare, pronar i Premium Construction & Maintenance rezulton të jetë Hektor Agalliu, me origjinë nga Tërpani i Beratit, i cili është njëkohësisht edhe punëtor i thjeshtë në firmën Salillari. Pra, rrjedhimisht del se bëhet fjalë për një njeri pa eksperiencë në ndërtim, pa staf, pa mjete, pa histori biznesi, por mesa duket me diçka që në Shqipëri vlen më shumë se gjithçka tjetër: lidhjet e duhura.
Artikulli që ka prekur Salillarin
Disa ditë më parë, në një spital privat në Tiranë, është paraqitur me një plagë në qafë oligarku Pëllumb Salillari, ‘korbi’ i buxhetit të shtetit, i lumenjve dhe krojeve, ndotësi i madh i mjedisit në Shqipëri, ikona e korrupsionit, e blerjes së pushtetarëve, pastrimit të parave, aferave me tendera, e mashtrimit me punimet publike, e orgjive, përdhunimeve, dyshimeve për vrasjen e të afërmve etj.
Plaga ishte shkaktuar me një mjet prerës, në pjesën e pasme të qafës, por pa i prekur damarët jetësorë.
Oligarku dhe rrethi i tij janë kujdesur që ngjarja e rëndë të mbetej e fshehtë, larg vëmendjes së mediave dhe policisë.
Pas mjekimit dhe disa ekzaminimeve, Salillari është larguar nga spitali privat. Ai ka pretenduar se është rrëzuar. Për ngjarjen nuk ka pasur denoncim dhe rrjedhimisht asnjë veprim hetimor.
Sipas burimeve të rezervuara, Salillari është plagosur pas kthimit nga Maqedonia, ku kishte organizuar një orgji me vajza dhe gra nga Tirana, me personazhe të tjerë të arrestuar për prostitucion, me alkool, shisha, drogë, muzikë dhe shërbime të tjera luksi që ofronte hoteli.
Nga një ish-faturino në autobusin e linjës urbane të Beratit, sot në një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, Salillari organizon shpesh festa dhe turne seksuale jashtë vendit, me të ftuar specialë dhe haremin e femrave të Tiranës, me paratë që ka përlarë nga buxheti i shtetit dhe plaçkitja e pasurive publike.
Në orgjinë e organizuar në Maqedoni, i ftuar special nga Salillari mësohet se ka qenë edhe stari i prostitucionit dhe orgjive, Zogu i Tiranës.
Një dosje e pazakontë në prokurori tregon se si Zogu i Tiranës bëhet pjesë e orgjive në Tiranë, ku merrnin pjesë personazhe VIP, njerëz të botës së krimit dhe biznesmenë të ndryshëm.
Krahas konkubinave, Salillari duket se është argëtuar edhe me Zogun e Tiranës, i cili në këmbim ka siguruar pushime dimërore dhe verore në vende ekzotike, por ndoshta edhe privilegje të tjera.
Kështu përfundojnë zakonisht paratë e shqiptarëve që vidhen përmes tenderave. Salillari ka përfituar qindra miliona euro nga buxheti i shtetit falë lidhjeve me të gjitha grupet politike dhe linjat e korrupsionit në Tiranë, duke korruptuar ministra, drejtorë dhe kryebashkiakë.
Nuk dihet nëse plagosja ka lidhje me ndonjë keqkuptim gjatë lojërave seksuale në Maqedoni, me ndonjë dalldisje të Salillarit në Tiranë apo me grindje në ndarjen e parave.
Por Salillari është i njohur për vardisjet ndaj vajzave dhe grave, për fiksime dhe prirje maniake, për orgji me të dyja gjinitë etj., ndërsa i ka kthyer kompanitë e tij në mundësi harbimi dhe jetësimi të instinkteve të shfrenuara seksuale.
Salillari është lakuar për një dosje penale përdhunimi, ndërsa ka dyshime të forta se ai nuk është denoncuar për dhjetëra sulme seksuale ndaj vajzave, grave dhe djemve.
Emri i Salillarit doli në skenë edhe gjatë hetimeve për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha në Tiranë, i groposur pas Malit të Dajtit. Djali i viktimës ka deklaruar se në fillim të tetorit të vitit të kaluar, babai i tij dhe një person tjetër kishin marrë përsipër të digjnin makinat e firmës “Salillari” kundrejt një pagese prej 200 mijë eurosh. Por kjo punë kriminale nuk ishte kryer.
Për veprimtarinë e zezë të Salillarit ka qindra dosje dhe denoncime në SPAK, prokurori, ambasada dhe kancelari perëndimore, por ende duket se vijon ta shpëtojë puthja e famshme në ballë nga Edi Rama.