Në zemër të Mallakastrës, më 14 korrik 1943, burrat e Poçemit u betuan se do t’i dilnin përballë fashistëve, me plumb në ballë dhe besë në zemër
Në Poçem të Mallakastrës, 82 vite më parë, u mblodh një nga kuvendet më të rëndësishme të Luftës Antifashiste në Shqipëri, Besëlidhja e Poçemit. Ngjarja, e ndodhur më 14 korrik 1943, nuk ishte thjesht një takim lokal, por një akt që përjetësoi simbolikën e “besës shqiptare” si rezistencë ndaj pushtuesit dhe si thirrje për çlirim mbarëkombëtar.
Në atë ditë, në hijen e rrapit historik ku dikur Rrapo Hekali shpalli kryengritjen kundër Perandorisë Osmane, ish kryeministri Mehmet Shehu mblodhi mbi 2000 burra të krahinës. Ai kërkoi që të gjithë të merrnin një vendim të qartë: ose të dorëzoheshin, ose të përballeshin me armikun. Dhe përgjigja ishte e njëzëshme: “Betohemi! Vdekje fashizmit, liri popullit!”.
Kjo Besëlidhje nuk u bë në vakum. Forcat italiane dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë përgatiteshin të rrethonin Mallakastrën, e cila prej prillit të atij viti ishte në duart e këshillave nacionalçlirimtare. Tradhtarët lokalë si Isa Toska, Bektash dhe Kadri Cakrani, u rreshtuan hapur në krah të pushtuesve, duke ndihmuar për planin e sulmit dhe duke tradhtuar popullin që i njihte si fqinjë.
Më 20 korrik 1943, nisi mësymja e përgjithshme. Italianët dhe ballistët sulmuan me zjarr e hekur nga të gjitha anët. Banda e Tefik Cfirit goditi prapa shpine çetat partizane në Gjerbës dhe Aranitas, ndërsa Isa Toska dogji shtëpi dhe dhunoi popullatën civile. Mbi 1000 mallakastriotë u vranë ose u plagosën, por zemra e popullit nuk u thye.
Në krah të Mehmet Shehut atë ditë qëndronin figura të tjera kyçe të Luftës si Bilbil Klosi, Nuredin Aliu, Namik Cakrani dhe dhjetëra të tjerë. Ata nuk ishin politikanë të kolltuqeve, por organizatorë të një rezistence të armatosur që kërkonte vetëm një gjë: lirinë.
Nga kjo Besëlidhje, djemtë e Mallakastrës u nisën për të formuar Brigadën I Sulmuese dhe për të furnizuar një pjesë të madhe të çetave të tjera me luftëtarë të sprovuar. Ishin ata që do të vendosnin themelet e një ushtrie popullore që i dha Shqipërisë çlirimin.
Sot, ndërsa historia rrezikon të relativizohet nga zëra që tentojnë të pastrojnë imazhin e kolaboracionistëve, Besëlidhja e Poçemit mbetet një fener i kujtesës kolektive. Një kujtesë që thotë se, pa besë, nuk ka liri. Dhe pa kujtesë, nuk ka dinjitet.