Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 3.5 për qind deri në fund të këtij viti. Sipas projeksionit të institucionit financiar, i njëjti ritëm rritjeje pritet edhe për vitin e ardhshëm.
Eksperti i ekonomisë, Elvin Meka, vlerëson se kjo mbetet një shifër relativisht e mirë në aspektin e zhvillimit, por thekson se ajo është larg nivelit që do të përkthehej në përmirësim të ndjeshëm të mirëqenies së qytetarëve.
BERZH nënvizon se vazhdimi i reformave strukturore, përkushtimi ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe mundësia për të përfituar më shumë fonde europiane përbëjnë faktorë mbështetës për rritjen ekonomike.
Sipas Mekës, rritja aktuale nuk vjen nga një shpërndarje e gjerë sektoriale, por mbështetet kryesisht në dy sektorë: turizmin dhe ndërtimin.