Edicioni i 75-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin ka hapur dyert sot dhe do të zgjasë deri më 23 shkurt, duke sjellë një përzgjedhje të pasur filmash nga regjisorë të njohur si Richard Linklater, Michel Franco dhe Hong Sang Soo.
Në garën kryesore për çmimin prestigjioz “Ariu i Artë” do të shfaqen 19 filma që përfaqësojnë 26 vende të ndryshme.
Mes filmave të përzgjedhur është edhe “Blue Moon” i Richard Linklater, një dramë që rrëfen jetën e kantautorit Lorenz Hart, i cili përballet me një krizë personale. Filmi vjen me një kast të njohur aktorësh, përfshirë Ethan Hawke, Margaret Qualley, Bobby Cannavale dhe Andrew Scott.
Berlinale do të presë gjithashtu emra të mëdhenj të kinemasë botërore, me yje si Timothée Chalamet, Jessica Chastain, Marion Cotillard dhe Margaret Qualley që pritet të marrin pjesë në eventin prestigjioz.
Drejtoresha e festivalit, Tricia Tuttle, ka theksuar se Berlinale nuk është vetëm një festival me tematikë politike, por një hapësirë e rëndësishme për dialog dhe eksplorimin e artit kinematografik. Ajo shtoi se shumë kineastë nga vendet arabe i janë drejtuar organizatorëve për të siguruar që festivali të ofrojë një platformë për diskutime të hapura.
Një nga surprizat e këtij edicioni është premiera e filmit fantastiko-shkencor “Mickey 17” nga regjisori i njohur Bong Joon Ho, fitues i çmimit Oscar për “Parasite”. Filmi, ku luan aktori Robert Pattinson, nuk do të jetë në konkurrim, por do të shfaqet në një gala speciale.
Gjithashtu, do të prezantohet filmi biografik “A Complete Unknown”, i cili sjell në ekran jetën e hershme të legjendës së muzikës Bob Dylan. Me regji të James Mangold, filmi përshkruan ardhjen e Dylan në Nju Jork dhe momentin kur ai vendosi të kalojë në muzikën elektrike, duke tronditur skenën folk të viteve 1960.
Aktori Timothée Chalamet, i cili luan rolin e Dylan, pritet të jetë i pranishëm në Berlin për promovimin e filmit. Pas Berlinales, premiera në kinematë gjermane është planifikuar për 27 shkurt.
Me një program të pasur dhe pjesëmarrje të aktorëve dhe kineastëve të njohur, Berlinale 2025 premton të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në botën e kinemasë.