Berisha viziton Salianjin në Burg: “Shqipëria, vendi i të burgosurve politikë”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë në burgun e Fierit, ku ndodhet në qeli deputeti demokrat Ervin Salianji.

Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Berisha e cilësoi rastin e Salianjit si një çështje që tashmë ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe dëshmi e qartë e gjendjes së rënduar politike në vend.

“Çështja e Ervin Salianjit është tashmë ndërkombëtare. Ajo është përfshirë në tre rezoluta të rëndësishme dhe dëshmon se Shqipëria është damkosur si vendi i të burgosurve politikë,” tha Berisha.

Ai akuzoi shtetin shqiptar për bashkëpunim me krimin e organizuar, duke e përshkruar atë si një “sipërmarrje të përbashkët mes shtetit dhe krimit”. Sipas tij, drejtësia në Shqipëri është kthyer në një mjet politik që shërben për të goditur opozitën dhe zërat kundërshtarë.

Berisha theksoi se Salianji nuk ka kryer asnjë veprim penal, por ka bërë thjesht një denoncim publik në cilësinë e tij si deputet. “Ai ka bërë detyrën e tij si përfaqësues i popullit. E gjithë kjo është një farsë e orkestruar nga një sistem që po shtyp zërin e së vërtetës,” deklaroi ai.

Duke iu referuar rezolutave ndërkombëtare, Berisha tha se ato janë miratuar nga të gjitha partitë e së djathtës në botë, të cilat dënojnë, sipas tij, “këtë narko-shtet”. Ai e përshkroi Shqipërinë si një vend që po përjeton një “diktaturë të dytë”, duke premtuar se Partia Demokratike ka marrë misionin për të përmbysur këtë regjim.

“PD është e vendosur të luftojë për rivendosjen e demokracisë dhe për të çliruar vendin nga ky sistem i kalbur,” u shpreh Berisha.

Vizita e Berishës vjen në një moment kur debatet mbi rastin e Salianjit dhe akuzat për përdorim politik të drejtësisë po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit publik. Ai i dhuroi dy libra Salianjit, Odrio Obert dhe një libër të Franc Kafkës.

Ky zhvillim është një tjetër tregues i tensioneve të thella politike në vend, me opozitën që denoncon qeverinë si autoritare dhe të lidhur me krimin e organizuar, ndërsa maxhoranca ka mbrojtur proceset ligjore si të pavarura.

Berisha i bëri thirrje qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare që të mos heshtin përballë kësaj situate, duke e quajtur atë një moment kritik për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri.

Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të denoncojë çdo formë abuzimi dhe të luftojë për lirimin e Salianjit dhe të gjithë të burgosurve që, sipas tij, janë viktima të një drejtësie të kapur.

Ndaj Postimin: