Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën kombëtare të paralajmëruar më 22 mars në Tiranë.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se sipas tij vetëm qytetarët mund t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Ai i ftoi qytetarët të bashkohen në protestë për të kundërshtuar, sipas tij, mënyrën e qeverisjes dhe përdorimin e fondeve publike.
“Ndaj edhe 22 marsi fton çdo qytetar shqiptar që të vërshojë drejt Tiranës për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kësaj organizate kriminale të kryesuar nga Rama, që ka interes vetëm pasurimin e paligjshëm me fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve,” deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës foli edhe për situatën në Parlament, duke thënë se opozita do të vazhdojë të paraqesë kërkesa dhe amendamente që, sipas tij, synojnë mbrojtjen e interesit publik.
“Së dyti, jemi në një situatë kritike në parlament, por ne përsëri duhet të intensifikojmë të gjitha kërkesat tona, sugjerimet dhe amendamentet tona në mbrojtje të interesit publik. Ata kanë gjetur një mënyrë të mbyllin parlamentin çdo 15 minuta,” u shpreh Berisha.