Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me strukturat e partisë në Durrës, theksoi se Shqipëria ka disa nga potencialet më të mëdha për prodhimin e energjisë, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka burime ujore më të mëdha se çdo vend tjetër në rajon, si dhe ka një klimë me shumë ditë me diell.
Berisha u shpreh se platformat e erës në Shqipëri janë ndër më të fuqishmet, duke përfshirë nga Shëmria e Kukësit deri në Tepelenë dhe Gjirokastër.
“Shqipëria mund të ëndërrojë me të drejtë që të shumëfishojë prodhimin e energjisë që ka. Mund të ëndërrojë me të drejtë që të ketë parqet eolike më të mëdha në Europë. Ka projekte si ai nga Shëmria deri në Vaun e Dejës për 3 mijë megavatë, një projekt italian. Vetëm kapaciteti i Pukës, i studiuar nga kompanitë më serioze të prodhimit të energjisë, është për 3200 megavatë turbina. Tepelena ka kapacitet të ngjashëm. Dhe kjo është vetëm fillimi,” tha Berisha.
Ai theksoi se problemi nuk qëndron në burimet e pasura që Shqipëria ka, por në aftësinë për t’i shfrytëzuar ato dhe për t’i kthyer ato në pasuri për qytetarët.