Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, konfirmoi se do të rikandidojë për drejtimin e partisë në zgjedhjet që do të mbahen më 23 maj.
I pyetur gjatë një konference për shtyp, ai dha një përgjigje të shkurtër dhe të drejtpërdrejtë:
“Kush të tha që jo? Po si e bën këtë pyetje. Kaq përgjigja”.
Në fokus të diskutimit ishte edhe neni 48 i statutit të PD-së, i njohur si “neni Basha”, që parashikon mosrikandidimin e kryetarit nëse ai ka humbur zgjedhjet.
Berisha theksoi se ky nen nuk do të zbatohet për këtë proces, pasi sipas tij zgjedhjet e fundit nuk mund të konsiderohen si të rregullta.
“Neni flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale. Nëse ka një realitet, zgjedhjet ishin farsë. Kur zgjedhjet janë normale, është detyrë e drejtuesit të japë dorëheqjen”, u shpreh ai.
Kreu i demokratëve u shpreh gjithashtu kundër ndryshimit të këtij neni në statut, duke theksuar se ai mbetet në fuqi, por nuk do të aplikohet në garën e 23 majit.
“Nuk ka pse ndryshon. Ai nen bën fjalë për zgjedhje. Ndryshimet e statutit janë proces normal para çdo Kuvendi”, tha Berisha.
Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike janë pjesë e kalendarit të ri organizativ të partisë, që pritet të kulmojë me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në qershor.