Shkaku kryesor i rënies së ndjeshme të turizmit është ndikimi i narkoeuros në ekonominë e vendit, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së djeshme për media, e cilësoi narkoeuron si shkakun thelbësor të rënies dramatike të turizmit në Shqipëri. Ai e përshkroi turizmin si “dështimin më të madh ekonomik” të qeverisë aktuale, që ai e quajti narkoshtet.
Berisha theksoi se narkoeuroja përbën një “toksinë të vërtetë” për ekonominë dhe turizmin shqiptar. Sipas tij, Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm turistik, me brigjet, lumenjtë, detet dhe liqenet që janë pasuri unike për vendin.
Nga viti 2005 deri më 2012, pas investimeve në infrastrukturë rrugore dhe dixhitale, numri i turistëve u rrit nga 300 mijë në afro 4.7 milionë. Më tej, numri i turistëve vazhdoi të rritej dhe në vitet e fundit u raportua edhe shifra prej 10 milionë vizitorësh.
Megjithatë, Berisha i konsideron këto të dhëna të fryra, pasi përfshijnë edhe pasagjerët që kalojnë përmes Rinasit, por nuk qëndrojnë si turistë në vend. Ai paralajmëroi se edhe pse këto shifra janë mashtruese, rënia e vizitorëve në vitet e fundit është e pamohueshme.
Vitin e kaluar dhe këtë vit, Shqipëria pësoi një ulje të ndjeshme të turistëve në bregdet dhe zonat turistike, që sipas Berishës lidhet me fshehjen nga ana e qeverisë, mediave, ekonomistëve dhe operatorëve turistikë.
Ai deklaroi se kjo heshtje mund të vijë nga frika apo padija, por ai është i bindur që shkaku i vetëm i kësaj situate është narkoeuroja. Sipas tij, zhvlerësimi i euros dhe dollarit me 35% në tregun shqiptar, i shkaktuar nga para të pista të narkoshtetit, është “toksina” që po shkatërron turizmin.
Berisha u shpreh se kjo zhvlerësim i bën turistët të shpenzojnë 35% më shumë për të njëjtat shërbime dhe mallra, duke goditur rëndë ekonominë turistike. Ai paralajmëroi se fshehja e kësaj të vërtete është bashkëfajësi në një krim ekonomik ndaj vendit.
Në përfundim, Berisha theksoi se rënia e vlerës së monedhave të huaja në Shqipëri po shkatërron turizmin dhe ekonominë, dhe kërkoi që kjo situatë të trajtohet me përgjegjësi dhe transparencë.