Berisha: Regjimi po dekriminalizon vjedhjen, Balluku asistente në grabitje prej 25 vitesh

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përdori aktivitetin e 8 Marsit për të artikuluar akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj Belinda Ballukut dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Jemi në një moment kritik, ku ky regjim ka shpalosur para nesh, duke sfiduar çdo qytetar shqiptar, egërsinë e pushtetit të tij. Ka vendosur të mbrojë vjedhjen, ka vendosur ta dekriminalizojë vjedhjen e qytetarëve nga pushtetarët”, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar Ballukut, ai u shpreh: “Ajo që shihni ju në aparencë si betejë mes Lubi Ballukut dhe gjyqësorit, jo. Është midis Edi Ramës. Ajo është mëkatare, sepse ka 25 vite që shërben si asistente në vjedhje, por vjedhjet e mëdha i ka bërë Edi Rama.”

Berisha theksoi se, sipas tij, vendi ndodhet në një moment vendimtar: “Ndaj në kilometrin e fundit kërkohet forca e grave, energjia dhe guximi i tyre.”

Në fjalën e tij para grave, ai u ndal edhe te barazia gjinore: “Pa vendosur barazinë mes burrit dhe gruas shoqëria nuk mund të jetë shoqëri e drejtë dhe shoqëri e idealeve dhe parimeve njerëzore.” Ai shtoi se “muri i patriarkisë është dhunuesi më kryesor i të drejtave të njeriut kudo në botë” dhe se beteja kundër tij ka qenë dhe mbetet objektiv i rëndësishëm i Partisë Demokratike.

Berisha deklaroi se në Shqipëri sot “ajo që përballet me të gjitha të këqijat e këtij regjimi është nëna, motra, gruaja dhe vajza”, duke shtuar: “Ky është realiteti i trishtë. Për të gjithë ne, para syve tanë, kombi që nënat tona e sollën si komb shqiptar po tretet, po shkon drejt shuarjes së pashmangshme.”

Kreu i PD dënoi edhe gjuhën e përdorur nga Taulant Balla në Kuvend ndaj deputetes Albana Vokshi, duke e cilësuar qeverinë si “regjim mizogenik”.

“Ky është regjimi i mizogenisë, është regjimi i banditëve që nuk kanë norma. Unë dënoj me forcën më të madhe, i shpreh solidaritetin Albanës, e cila u agresua në Parlament vetëm se ju ka përfaqësuar me dinjitet ju. Ajo ka qenë zëri juaj i guximshëm. Kryeministër më mizogen se Rama nuk e ka pasur as Shqipëria as Evropa”, deklaroi Berisha.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033