Berisha: Rama përgatiti skenar për ekzekutimin e protestuesve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në kryeqytet, duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe drejtuesve të policisë.

Gjatë një konference për mediat, Berisha e cilësoi tubimin si “kryengritje paqësore” dhe deklaroi se ishte përgatitur një skenar për gjakderdhje dhe ekzekutim të protestuesve.

Sipas tij, ndërhyrja e policisë ka qenë e qëllimshme dhe e organizuar për të përshkallëzuar situatën. Ai pretendoi se ndaj protestuesve janë përdorur plumba gome në zona të ndjeshme si koka, duke e cilësuar këtë praktikë të rrezikshme.

Berisha hodhi poshtë gjithashtu bilancin zyrtar të policisë për efektivët e lënduar, duke deklaruar se në spitalin e Traumës nuk kishte punonjës policie të plagosur, por vetëm persona të paraqitur për formalitete.

Ai përmendi edhe deputetin demokrat Beldjon Nallbati, duke pretenduar se është goditur gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit.

Sipas bilancit zyrtar të autoriteteve, gjatë protestës u lënduan 19 efektivë policie, një qytetar dhe deputeti Nallbati, ndërsa në vendngjarje pati përdorim molotovësh dhe mjete piroteknike.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike pas përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033