Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur disa nga masat që do të ndërmarrë partia e tij në rast se fiton zgjedhjet e vitit 2025.
Në një takim me mbështetës, Berisha u ndal te premtimet ekonomike që, sipas tij, synojnë të mbështesin shtresat në nevojë dhe të luftojnë pabarazinë sociale.
Një nga masat kryesore të propozuara është pajisja e pensionistëve dhe atyre me paga të ulëta me një “kartë konsumatori”. Sipas Berishës, kjo kartë do t’u mundësojë përfituesve rikthimin e plotë të TVSH-së për ushqimet bazë, duke lehtësuar kështu barrën ekonomike që rëndon mbi ta.
“Tre pensione ju mbahen përmes TVSH-së që paguani për ushqimet bazë. Ato tre pensione shkojnë për turistët që paguajnë vetëm 4 euro. Kjo padrejtësi do të marrë fund,” deklaroi Berisha, duke kritikuar sistemin aktual fiskal.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të pagave të zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar këtë si një pabarazi të thellë në raport me pagat mesatare. Sipas Berishës, “Presidenti i Shqipërisë merr dhjetëfishin e një page mesatare, ndërkohë që në vende si SHBA, raporti është shumë më i ulët.”
Berisha theksoi se në administratën e ardhshme të drejtuar nga PD, raporti mes pagës më të lartë dhe asaj mesatare nuk do të kalojë raportin 1/5. “Ky harmonizim është i domosdoshëm për të siguruar drejtësi sociale,” shtoi ai.
Një tjetër pikë e fortë në fjalimin e tij ishte premtimi për luftimin e korrupsionit dhe rikuperimin e fondeve publike. Berisha akuzoi qeverinë aktuale për krijimin e një “sistemi të ndërtuar mbi vjedhje” dhe premtoi që fondet e përvetësuara nga zyrtarët do të rikthehen në arkën e shtetit.
“Do të na pyesin ku do t’i gjejmë paratë. Hajdutëve do ua marrim ato. Absolutisht po!” u shpreh Berisha, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit do të jetë një prioritet kryesor.
Në përfundim, Berisha shprehu optimizëm për zgjedhjet e ardhshme, duke e quajtur vitin 2025 si “vitin e opozitës” dhe “vitin e fitores”. “Shkojmë me shumë njerëzi, me shumë respekt dhe me një program të qartë për t’i dhënë fund kësaj qeverisjeje të paaftë,” tha ai.
Fjalimin e tij e mbylli me një urim për vitin e ri dhe një mesazh shprese për mbështetësit: “Fitore, fitore, fitore! Është radha jonë!”