Berisha pas vizitës së Ramës në Kosovë: Gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë lidhet me pazaret e tij në Beograd

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Prishtinë, duke e cilësuar atë si “hipokrite” dhe duke e akuzuar për përgjegjësi politike në lidhje me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

Berisha deklaroi se një nga shkaqet pse katër ish-luftëtarë dhe ish-udhëheqës politikë të Kosovës po gjykohen në Hagë janë, sipas tij, “pazaret e turpshme” të Ramës në Beograd. Ai tha se ka denoncuar më herët aktakuzat e prokurorëve të Hagës, të cilat i cilësoi si të ndikuara nga propaganda ultranacionaliste serbe.

“Sot në Kosovë ishte një armik i egër i Kosovës, i lirisë, i dinjitetit të qytetarëve të saj”, u shpreh Berisha, duke shtuar se Rama ka ushtruar presion për miratimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Sipas tij, qëndrimet e kryeministrit në Këshillin e Europës dhe deklaratat e tij kundër vendeve që financojnë Gjykatën e Hagës, nuk ndihmojnë të akuzuarit, por krijojnë një klimë të pafavorshme për ta.

Berisha u bëri thirrje gjyqtarëve në Hagë që të gjykojnë mbi bazën e ligjit dhe të shpallin pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të Kosovës, duke theksuar kontributin e tyre në mbrojtjen e qytetarëve gjatë luftës.

Vizita e kryeministrit Rama në Kosovë u zhvillua në prag të përvjetorit të pavarësisë së vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033