Berisha pas mbylljes së protestës: “Banditë me uniformë u vërsulën si bisha ndaj qytetarëve”

Pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike, Sali Berisha doli para mbështetësve duke sulmuar drejtpërdrejt Policinë e Shtetit dhe kryeministrin Edi Rama.

Në deklaratën e tij, Berisha tha se qytetarët “zotëruan qytetin” dhe se ndaj tyre u ushtrua dhunë nga policë, të cilët i quajti “banditë me uniformë” dhe “kriminelë me uniformë”.

“Me guximin, mençurinë dhe vendosmërinë e tyre, qytetarët de facto zotëruan qytetin. Banditë me uniformë u vërsulën si bisha duke menduar se mund t’i mposhtin”, deklaroi Berisha.

Ai vlerësoi qëndrimin e protestuesve, duke thënë se vetëpërmbajtja e tyre ishte shumë më e fuqishme se, sipas tij, “banditizmi” i forcave të rendit.

“Vetëpërmbajtja, guximi dhe qëndrimi paqësor i protestuesve është dhjetëra e qindra herë më i fuqishëm se banditizmi juaj”, u shpreh ai.

Në vijim, Berisha paralajmëroi se durimi i protestuesve ka kufij dhe se kjo vetëpërmbajtje nuk duhet të interpretohet si dobësi.

“Mos e merrni vetëpërmbajtjen e tyre për dobësi. Kjo është vendosmëri për të realizuar qëllimin”, tha ai, duke shtuar se objektivi i opozitës është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi “njërin prej armiqve më të rrezikshëm në historinë e kombit shqiptar”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033