Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar një tjetër protestë të fuqishme të opozitës, e cila pritet të mbahet më 26 nëntor në Tiranë.
Në një konferencë për shtyp, kreu i Partisë Demokratike ftoi qytetarët shqiptarë t’i bashkohen marshimit kombëtar, duke e cilësuar atë si një nga më të rëndësishmet në historinë e vendit.
“Në datën 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët, në datën 26 marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë,” deklaroi Berisha. Ai nënvizoi se ora e protestës do të njoftohet së shpejti, ndërsa shtoi se opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Berisha e cilësoi protestën si një akt të mosbindjes civile kundër asaj që ai e quan “diktaturë” dhe akuzoi qeverinë për lidhje të forta me krimin e organizuar. “Mosbindja civile është rruga e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë,” shtoi ai, duke bërë thirrje për një pjesëmarrje masive.
Kjo thirrje vjen vetëm disa ditë pas protestës së opozitës të mbajtur më 19 nëntor para Kuvendit të Shqipërisë. Ajo protestë kishte si qëllim kundërshtimin e miratimit të buxhetit të ri nga qeveria. Sipas Berishës, këto protesta janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë për të kundërshtuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e akuzon për kontroll të plotë mbi institucionet e drejtësisë dhe për manipulimin e sistemit ligjor në favor të tij.
Në deklaratat e tij, Berisha nuk kurseu kritikat për SPAK-un, të cilin e akuzoi si të varur nga qeveria. “Gjykata është në varësi të SPAK-ut, që i kontrollon dhe shpërndan materiale për ta. Këta janë një trupë, një korporatë kriminale që kontrollohet nga krimi dhe Edi Rama,” tha ai.
Protesta e 26 nëntorit pritet të jetë një nga sfidat më të mëdha për opozitën, e cila kërkon të demonstrojë forcën dhe mbështetjen popullore përballë qeverisë. Organizatorët theksojnë se kjo është një mundësi për qytetarët që të tregojnë pakënaqësinë ndaj qeverisjes aktuale dhe të kërkojnë ndryshime të thella politike.
Me këtë thirrje, Berisha dhe opozita shpresojnë të mobilizojnë masat dhe të përshkallëzojnë presionin ndaj qeverisë. Situata politike pritet të nxehet më tej ndërsa afron data e protestës.