Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Fier, bëri një paralajmërim të fuqishëm ndaj investitorëve strategjikë që po përfitojnë nga korrupsioni i qeverisë për të uzurpuar tokat e qytetarëve.
Berisha tha se ata që prekin pronën e qytetarëve shqiptarë do të përballen me pasojat. Ai paralajmëroi investitorët të mos guxojnë të prekin asnjë metër katror të pronave private, duke theksuar se çdo pasuri e grabitur do konfiskohet dhe se ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen.
Ai solli si shembull situatën në Përmet, ku, sipas tij, dhjetëra hektarë tokë pranë llixhaveve janë në rrezik të konfiskohen nga investitorë të lidhur me qeverinë. “Ata thonë se Edi Rama e ka dhënë, por kjo nuk do të qëndrojë. Edi Rama dhe ata do të shkojnë atje ku i takon. Prona e tjetrit është e paprekshme,” theksoi Berisha.
Për më tepër, Berisha ka premtuar një revolucion ekonomik, i cili do të ofrojë mbështetje të fortë për biznesin dhe do të ulë taksat. Ai renditi disa nga masat e tij ekonomike që përfshijnë:
- Taksa e sheshtë dhe përgjysmim i barrës fiskale
- TVSH vetëm 15%
- Çmimi i energjisë për biznesin do të ulet nga 18 lekë në 6 lekë
- Taksa vendore do të jetë jo më shumë se 1% e xhiros
- Tavan për TVSH dhe tatim mbi të ardhurat deri në 180 mijë euro
Berisha u shpreh se në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë, pasuritë nuk do të jenë më për oligarkët, por për qytetarët. Ai garantoi se Shqipëria do të shndërrohet në një vend më të mirë për të rinjtë, duke ofruar mundësi për shkollim, punësim, strehim dhe mbështetje për bizneset.
Në përmbyllje, ai e cilësoi 11 majin si “ditën e kthesës për pronën, punën dhe dinjitetin e çdo qytetari.”