Berisha njofton protestë kombëtare më 15 mars kundër mbylljes së TikTokut në Shqipëri: “Të anulohet vendimi menjëherë!”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se më 15 mars do të mbahet një protestë kombëtare për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok në Shqipëri për një periudhë 12-mujore.

Protesta do të zhvillohet para Kryeministrisë dhe do të ketë si objektiv anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi, të cilin Berisha e konsideron një akt censure të papranueshëm.

Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje të gjimnazistëve, të rinjve dhe qytetarëve të të gjitha grupeve, duke e cilësuar këtë vendim si një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe komunikimit. Ai theksoi se ngjarja tragjike e vdekjes së Martin Canit nuk ka asnjë lidhje me përdorimin e TikTok-ut, siç përpiqet të justifikojë kryeministri Edi Rama për të mbuluar vendimin e tij të diskutueshëm.

“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë dhe qytetarët të bashkohen në këtë protestë kombëtare. Ky është një sulm ndaj të drejtës sonë për të shprehur mendimin dhe për të komunikuar pa pengesa. Vdekja tragjike e Martin Canit nuk ka asnjë lidhje me TikTok-un, dhe kjo përpjekje për ta përdorur atë si justifikim për censurë është e pabazuar,” tha Berisha.

Për më tepër, Berisha theksoi se qeveria e përdor ngjarjen për të justifikuar një kontroll të rritur mbi rrjetet sociale dhe për të kufizuar hapësirën e shprehjes së lirë, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Ai akuzoi qeverinë se përpiqet të shfrytëzojë këtë tragjedi për të fituar pikë politike dhe për të frenuar mundësinë e diskutimeve të hapura dhe të lirë në platformat sociale.

Kryetari i PD-së nënvizoi se të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e manipulimeve të kryeministrit Rama. Ai bëri thirrje për një mobilizim të fuqishëm dhe të gjithëpranuar për të kundërshtuar këtë vendim të qeverisë dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve për të shprehur mendimet e tyre pa frikë nga censura.

Në përfundim, Berisha u bëri thirrje edhe prindërve dhe të rinjve të mos bien pre e “mashtrimit banal dhe të pacipë” të Ramës dhe të dalin në mbrojtje të lirisë së shprehjes. Ai e mbylli fjalimin e tij me kërkesën për anulimin e menjëhershëm të vendimit për bllokimin e TikTok dhe për restaurimin e lirisë për të komunikuar dhe shprehur mendimet nëpërmjet kësaj platforme.

Ndaj Postimin: