Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur 22 dhjetorin si datën e nisjes së protestave masive të opozitës, të cilat do të synojnë rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike. Në deklaratën e bërë përmes një transmetimi live, ai tha se PD do të mobilizojë qytetarët e të gjitha bindjeve për të kundërshtuar atë që e konsideron keqadministrim dhe kapje të proceseve zgjedhore nga qeveria.
Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama për përdorimin e bandave, ndikimin mbi administratën publike dhe manipulimin e votës së diasporës gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Ai përmendi shpenzimet publike në periudhë të ndaluar, arrestimet e figurave opozitare dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra certifikatave dhe lejeve si forma presioni ndaj votuesve. Sipas tij, pushteti aktual mbështetet mbi votë të deformuar dhe asnjë proces zgjedhor nën drejtimin e Ramës nuk mund të konsiderohet i lirë.
Në adresimin e tij, Berisha foli edhe për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit, duke e quajtur vendimin tërësisht të mazhorancës. Ai tha se firmosja fillestare nga disa deputetë të PD-së ishte një gabim i korrigjuar menjëherë dhe se kandidatura nuk mori asnjë mbështetje nga opozita në momentin e votimit.
Në përfundim, Berisha theksoi se PD do të vazhdojë protestat pa ndërprerje deri në largimin e qeverisë dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të ndershme, duke pretenduar se në një proces të lirë Partia Demokratike do të dilte fituese.


