Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalën para mbështetësve të tij gjatë protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë, duke deklaruar se opozita ndodhet, sipas tij, në “kilometrin e fundit drejt fitores”.
Para nisjes së fjalimit, në shesh u lexua një mesazh i Berishës, ku thuhej se “ky shesh është i yni”. Në fjalën e tij, Berisha përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si drejtues të një “organizate kriminale”, ndërsa e quajti qeverisjen aktuale “narkoshtet”.
“Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit asgjë s’do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi para triumfit,” deklaroi Berisha, duke shtuar se rruga e opozitës ka qenë e vështirë dhe e shoqëruar, sipas tij, me presione dhe izolim.
Ai tha se opozita është përballur me dhunë, propagandë dhe përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri pa opozitë, gjë që e cilësoi si “turpin e historisë”.
“Në këtë udhëtim u ngritëm si feniksi nga hiri. U përballëm me një organizatë kriminale të kryesuar nga Ramaduro,” u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita ka siguruar, sipas tij, edhe shtatë rezoluta ndërkombëtare.
Në përfundim, Berisha theksoi se opozita është më e fortë dhe më e vendosur se kurrë dhe se protesta përfaqëson një moment kyç në atë që ai e cilësoi si betejë për triumfin e saj politik.