Berisha: Narkoshteti shqiptar ishte në qendër të punimeve të CDI-së, rezoluta dënoi zhvillimet dramatike në vend

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë me mediat ka folur për punimet e Internacionales Demokrate të Qendrës, të mbajtura në Sao Paulo të Brazilit, ku ai mori pjesë dhe u zgjodh zëvendëspresident i CDI-së.

Berisha u shpreh se Shqipëria ka qenë një nga temat kryesore të diskutimeve në asamblenë e organizatës politike të qendrës së djathtë, e cila përfshin rreth 118 parti dhe bashkëpunon me organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë PPE-në.

“Narkoshteti shqiptar ishte vend qendror në punimet e CDI-së dhe rezoluta dënoi me forcë zhvillimet dramatike që po ndodhin në vendin tonë,” tha Berisha.

Ai theksoi se në fokus të punimeve të asamblesë ka qenë gjendja e demokracisë në botë, me vëmendje të veçantë për Ukrainën, luftën kundër agresionit rus dhe solidaritetin e plotë me popullin ukrainas.

Një tjetër temë e rëndësishme ka qenë situata në Venezuelë, të cilën Berisha e përshkroi si një “narkoshtet të rrezikshëm”. Rezoluta e miratuar nga CDI kërkoi rikthimin në detyrë të presidentit të zgjedhur të Venezuelës, i cili jeton në mërgim për shkak të manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi i Maduros.

Berisha tha se edhe Shqipëria u trajtua me të njëjtin shqetësim. Sipas tij, përfaqësues të lartë të CDI-së, përfshirë presidentin Pastrano dhe sekretarin e përgjithshëm Isturiz, kanë ngritur alarmin për “konsolidimin e narkoshtetit nën drejtimin e Edi Ramës” dhe për lidhjet e tij të supozuara me “kartelet më të rrezikshme të Amerikës Latine”.

“Shqipëria u trajtua në mënyrë të drejtpërdrejtë si pjesë e një krize të thellë të shtetit ligjor. Rezoluta e CDI-së i dënoi me vendosmëri zhvillimet dramatike në vendin tonë,” u shpreh Berisha.

Sipas kryedemokratit, mbështetja ndërkombëtare ndaj forcave opozitare është një sinjal i rëndësishëm për betejën politike që po zhvillohet në Shqipëri.

Ndaj Postimin: