Berisha mbi koston e strategut të Trump: Nuk ka asnjë sekret

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar përfshirjen e Chris LaCivita, një prej strategëve kryesorë të fushatës së Donald Trump, si drejtues të fushatës së PD-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

I pyetur nga gazetarët mbi koston e kësaj angazhimi, Berisha u shpreh se nuk ka asnjë sekret dhe se të gjitha detajet do të bëhen të ditura në kohën e duhur. “Do t’i merrni vesh që të gjitha. Nuk ka asnjë sekret. Nuk jam unë personi që jam marrë me negociatën,” – tha ai, duke mos dhënë informacion specifik mbi marrëveshjen.

Ndërkohë, lideri i PD-së u pyet edhe për një skenar të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, pas arrestimit të Erion Veliajt. Berisha deklaroi se PD do të analizojë me kujdes kandidatët e saj për këtë garë, nëse një proces i tillë zhvillohet.

Megjithatë, ai theksoi se për Partinë Demokratike, çështja kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “kukullën e Sorosit”. Sipas Berishës, qeverisja aktuale ka humbur çdo legjitimitet dhe zgjedhjet e reja janë një domosdoshmëri për të rikthyer demokracinë në vend.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet politike në vend janë të larta, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në kryeqytet dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndërsa PD synon të ndërtojë një fushatë të fortë elektorale me ndihmën e LaCivita-s, mbetet për t’u parë se si do të formësohet strategjia e saj dhe sa do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Ndaj Postimin: