Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme, duke respektuar masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” të caktuar nga gjykata.
Gjatë prononcimit të tij para mbështetësve dhe mediave, Berisha ndau detaje nga dosja “Toyota Yaris”, duke përmendur emrin e deputetit Taulant Balla dhe duke hedhur akuza të rënda.
Berisha tha se zotëron prova dhe dokumente që implikojnë Ballën në veprimtari kriminale, duke e akuzuar për bashkëpunim me grupe kriminale dhe për përpjekje për të penguar konfiskimin e pasurive të paligjshme. Ai deklaroi se kishte dorëzuar regjistrime dhe prova të reja që lidhen me dosjen.
“Jam zotuar t’u faktoj shqiptarëve se çfarë organizate kriminale mbështetet dhe paguhet në këtë ndërtesë. Sot kam sjellë prova të reja që tregojnë se si Taulant Balla ka vepruar për të mbrojtur paratë dhe asetet e grupeve kriminale. Nuk është vetëm çështja e ‘Toyota Yaris’, por edhe krime të tjera të fshehura që flenë në dosje nga prokurorë të korruptuar,” tha ai.
Berisha akuzoi se dosja çon drejt një rrjeti të gjerë kriminal, ku janë të përfshirë figura të njohura publike dhe politike. Ai përmendi emrin e Eriona Daupaj, ish-punonjëse e BKH-së, duke e cilësuar si ndërhyrese kryesore në këto afera. Sipas tij, ajo ka ndihmuar në manipulimin e procedurave ligjore për të shmangur sekuestrimin e pasurive kriminale.
“Këto janë mesazhe që tregojnë si kryhet mbrojtja e kriminelëve. Përmes manipulimit të afateve ligjore, dosjet kalohen në heshtje. Janë skema që mbështeten nga figura të korruptuara si Altin Lala dhe të tjera individë të lidhur me qarqet kriminale,” shtoi Berisha.
Gjatë leximit të mesazheve të pretenduara nga dosja, Berisha paraqiti fragmente ku personazhet e përfshirë diskutojnë mbi ndarjen e parave dhe shmangien e pasojave ligjore. Ai theksoi se komunikimet midis Radovan Çelës, Astrit Vladit dhe Eriona Daupajt tregonin qartëse si “Tao” – siç e quajti ai Ballën – ka ndikuar në zhvillimin e ngjarjeve.
“A e kuptoni se çfarë po ndodh? Këta horra përpiqen të shpëtojnë nga drejtësia me anë të manipulimit dhe skemave kriminale. Provat tregojnë se gjithçka ka ndodhur në bashkëpunim të ngushtë mes politikës dhe krimit të organizuar,” tha Berisha.
Presion drejtësisë
Një nga mesazhet e pretenduara tregon se si Eriona Daupaj paralajmëron për “pasoja të rënda” nëse dosja del jashtë kontrollit. Sipas Berishës, këto mesazhe janë provë e pastër e presionit dhe ndërhyrjeve për të penguar drejtësinë.
“Eriona Daupaj ka luajtur rolin e saj si ndërmjetëse dhe ka qartësuar planin për të mbrojtur Taulant Ballën dhe të tjerë të përfshirë. Flitet për plane që i dëmtojnë shqiptarët dhe minojnë drejtësinë,” shtoi ai.
Berisha përfundoi duke akuzuar qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetje ndaj kësaj strukture kriminale. Ai u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të marrin masat e nevojshme dhe të mos heshtin ndaj këtyre provave.
“Këto janë ditë kritike për pluralizmin dhe demokracinë në Shqipërí. Nuk duhet lejuar që krimi të triumfojë mbi drejtësinë,” tha ai.
Shtohen pyetjet mbi ndikimin e kësaj dosjeje në politikën shqiptare dhe mbi hapat e ardhshëm që do të ndjekë drejtësia për të zbardhur të vërtetën.