Berisha kundërshton seancën me dyer të mbyllura për dosjen Balluku: Vetëm një material është sekret

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita nuk do të pranojë zhvillimin e një seance me dyer të mbyllura për shqyrtimin e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Këshillin të Mandateve.

Në një prononcim për mediat, Berisha tha se në dosjen e çështjes ekziston vetëm një material sekret, i cili, sipas tij, nuk mund t’i bëhet i ditur Ballukut dhe as të bëhet publik, ndërsa të gjitha dokumentet e tjera nuk kanë karakter sekret.

“Që ta ketë të qartë çdo shqiptar. Gjer sot ajo dosje ka vetëm një sekret, dhe ai sekret nuk mund të bëhet publik. Në interesin e procesit, asnjë sekret tjetër, asnjë dokument tjetër, asnjë material tjetër nuk është sekret, as edhe videot e tyre nuk janë sekret”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se deputetët e opozitës, në interes të procesit, do ta respektojnë ruajtjen e elementit sekret që ndodhet në dosje, por theksoi se kjo nuk justifikon mbajtjen e seancës me dyer të mbyllura.

“Seancë të mbyllur për vjedhjet e Edi Ramës ne nuk pranojmë. Jo, seanca do të jetë e hapur. Nuk jemi ne deputetët që na kanë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë që janë vjedhur prej tyre”, deklaroi Berisha.

Deklarata e kreut të PD vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa Këshilli i Mandateve po shqyrton kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ndaj Postimin: