Berisha godet PS-në në Kuvend, ironizon largimin e Petro Koçit dhe akuzon për farsë elektorale

Sali Berisha sulmon Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, duke thënë se Petro Koçi u largua nga Kuvendi pasi nuk ishte “i karteleve”

Në seancën e fundit parlamentare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një valë akuzash ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e përshkroi si “Ramaduro i Evropës”. Ai u ndal veçanërisht te largimi i deputetit socialist Petro Koçi, duke e lidhur me prapaskena dhe ndikim të grupeve të interesit.

Sipas Berishës, fakti që Petro Koçi nuk është pjesë e listës për zgjedhjet e 11 majit, tregon se ai nuk është mbështetur nga qarqe të caktuara të pushtetit në hije. “Nëse do të ishte i tyre, nuk do ta largonin. E nxorën sepse nuk u duhej më,” deklaroi ai, duke shtuar se Koçi është thjesht një zë i komanduar, pa asnjë qëndrim të vetin politik.

Berisha e shfrytëzoi fjalën në Kuvend për të ironizuar edhe dy deputetet e reja të PS-së, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, të cilat sipas tij mungojnë në debatet kryesore për çështjet që prekin zgjedhjet dhe integritetin e tyre. “Ku janë Sara dhe Zegjineja kur ne flasim për krimin në zgjedhje?”, pyeti ai me ironi.

Ish-kryeministri e quajti procesin zgjedhor të 11 majit si “farsën më të shëmtuar elektorale” që ka njohur Shqipëria, duke akuzuar qeverinë për manipulime dhe përfshirje të strukturave kriminale në garën politike.

Fjalimi i Berishës u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje nga ana e deputetëve të mazhorancës, por ai vijoi pa u ndalur në akuzat ndaj qeverisë dhe strukturës drejtuese të Partisë Socialiste.

Ai shtoi se largimi i emrave të vjetër si Petro Koçi është një strategji për të pastruar imazhin, por jo thelbin e pushtetit të korruptuar, që sipas tij, po udhëhiqet nga grupe klienteliste dhe interesa të errëta.

Deklaratat e Berishës erdhën në një moment kur fushata elektorale po hyn në fazën e saj vendimtare dhe pritet të pasohet nga përplasje të tjera politike në ditët në vijim.

Ndaj Postimin: