Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson procesin në GJKKO si një “piramidë mashtrimi” të urdhëruar nga Edi Rama, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë ligjore ndaj tij
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas shtyrjes së seancës gjyqësore në GJKKO për çështjen e njohur si “Partizani”, duke e konsideruar të gjithë procesin si një manovër politike me qëllim mbulimin e korrupsionit qeveritar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai deklaroi se drejtësia e komanduar nuk do ta shpëtojë Edi Ramën nga përgjegjësia për atë që ai e cilëson si pushtet të ndërtuar mbi krimin dhe mjerimin.
Seanca e parë për çështjen u shty për më 21 korrik, pasi Berisha nuk u paraqit duke deklaruar se nuk ishte njoftuar. Në sallë mungoi edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërsa dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, mori pjesë dhe e cilësoi procesin si farsë.
Berisha argumenton se hetimet nisën pas një urdhri të Edi Ramës në Kongresin e PS-së në prill 2022, dhe sipas tij, prokurorët kanë shpikur një dosje të bazuar mbi një kallëzim të rremë të Taulant Ballës. Ai shton se toka në fjalë nuk ka qenë pronë shtetërore, por gjithnjë private, në pronësi të pesë familjeve tiranase.
Në një sërë akuzash të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, Berisha thekson se asnjë zyrtar nuk është implikuar ligjërisht, se nuk ka dëme për buxhetin e shtetit dhe se nuk ka asnjë provë që ai të ketë ndërhyrë për përfitime personale. Ai përmend gjithashtu se vetë Edi Rama ka miratuar akte të dyshimta si ligji “Fusha” dhe vendime për përfitime të afërmve të tij.
Në vazhdim të reagimit, Berisha përmend edhe përpjekjet për ta përfshirë në vepra korruptive përmes hetimeve ndaj vajzës së tij, Argita Malltezi Berisha, duke përfshirë pagesa për pushime familjare, donacione për aktivitete kulturore dhe ndihma për fëmijët autikë në qendrën e drejtuar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.
Ai i konsideron këto si akte bamirësie të paraqitura padrejtësisht si korrupsion dhe akuzon prokurorët për manipulim të fakteve me qëllime politike. Në përfundim, Berisha shprehet se as drejtësia e kapur nuk do të mund t’i shmangë fundin politik Edi Ramës.