Sali Berisha deklaron se rasti i Ervin Salianjit sapo ka nisur dhe do të ketë vend për të në strukturat e PD-së
Në një konferencë për shtyp, ish-kryeministri Sali Berisha reagoi ashpër ndaj dënimit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke e cilësuar atë një vendim të pastër politik dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe normat e drejtësisë së vendit.
Berisha u shpreh se komunikon rregullisht me Salianjin dhe se lirimi i tij nuk përbën fundin e kësaj çështjeje, por fillimin e një beteje më të madhe. Ai theksoi se rasti në fjalë është një shembull i qartë i padrejtësisë së ushtruar ndaj opozitës.
I pyetur për rolin që Salianji do të ketë në Partinë Demokratike pas lirimit, Berisha deklaroi se funksionet e tij të ardhshme do të përcaktohen nga strukturat drejtuese të partisë. Ai kujtoi se Salianji mban aktualisht postin e nënkryetarit të grupit parlamentar dhe është anëtar i Kryesisë së PD-së.
“Kam pasur kontakte të vazhdueshme me të. Tani do të vijë të më takojë. Është një figurë e rëndësishme në PD dhe çdo vendim për të ardhmen e tij do të merret nga anëtarësia,” theksoi Berisha.
Duke e quajtur Salianjin një të burgosur politik, Berisha e akuzoi kryeministrin Rama dhe ish-ministrin Xhafa si përgjegjës për një vendim që ai e cilësoi të turpshëm për historinë e drejtësisë shqiptare në këto 32 vite pluralizëm.
Sipas tij, më herët deputetët janë gjykuar vetëm nga Gjykata e Lartë, ndërsa tani, pas ndryshimeve ligjore, janë në juridiksionin e GJKKO-së. Ai shtoi se pavarësisht lirimit, beteja ligjore dhe politike për Salianjin nuk ka përfunduar.
“Ervini e përballoi këtë padrejtësi me dinjitet të plotë,” deklaroi Berisha, duke lënë të kuptohet se PD do ta mbështesë më tej në përballjen e tij me drejtësinë dhe në rolin e tij politik brenda partisë.