Berisha: Deputetët firmosën për Endrit Shabanin kur mbështeti Florian Binajn, por më pas doli i lidhur me Ramën

Sali Berisha ka komentuar sot procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke sqaruar se Partia Demokratike ka firmosur fillimisht për kandidaturën e Endrit Shabanit. Ai tha se kjo ka ndodhur në një moment kur Shabani kishte shprehur mbështetje për Florian Binajn, por se më pas janë zbuluar rrethana të tjera që e kanë ndryshuar qëndrimin e opozitës.

“Unë nuk mohoj që Endri Shabani i mori firmat. Ai i mori në një periudhë kur mbështeti Florian Binën, dhe në atë kohë ekzistonte një lloj koalicioni moral mes forcave politike. Por më vonë dolën probleme që treguan se ai nuk ishte vetëm një kritik i opozitës. Rezultoi një person me lidhje të plota me Edi Ramën,” u shpreh Berisha, duke shtuar se kjo nuk është vetëm bindja e PD-së, por edhe e aktorëve të tjerë publikë që kërkojnë një Avokat të Popullit të besueshëm dhe me integritet.

Berisha theksoi se, përveç lidhjeve të dyshuara politike, Shabani është edhe kryetar partie, çka sipas tij e kushtëzon pavarësinë e figurës që kërkohet për postin e Avokatit të Popullit.

Ai kujtoi se Komisioni i Ligjeve vendosi që deputetët nuk mund të firmosin për më shumë se një kandidat dhe se, në respekt të këtij vendimi, grupi parlamentar i PD njoftoi Kuvendin se tërhiqte të gjitha firmat e depozituara.

Sipas tij, mazhoranca e ka injoruar këtë vendim në mënyrë të qëllimshme:

“Ky vendim i Komisionit të Ligjeve u hodh poshtë nga mazhoranca pa asnjë procedurë. Ata e bënë nul pa marrë asnjë vendim të dokumentuar. Pse? Sepse, nëse vendimi do të zbatohej, humbisnin firmat për Endri Shabanin,” deklaroi Berisha.

Çështja e Avokatit të Popullit vijon të shkaktojë debat të ashpër politik mes opozitës dhe mazhorancës, në një proces që ende nuk ka dhënë rezultat përfundimtar.

Ndaj Postimin: