Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se raportimet për efektivë të plagosur gjatë protestës janë të pavërteta.
Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Berisha kundërshtoi bilancin zyrtar të policisë dhe akuzoi qeverinë për manipulim të situatës.
“Asnjë polic në urgjencë, nxirrni një gërvishtje, një të plagosur, gënjeshtar. Përkundrazi, i gjuajtët me plumba gome në kokë. I gjuajtët me snajper protestuesit”, tha Berisha.
Ai reagoi gjithashtu ndaj arrestimeve të të miturve pas protestës, duke e cilësuar ndërhyrjen si represion ndaj të rinjve.
“Keni mbush qelinë me 12 adoleshentë, sepse sipas jush adoleshentët nuk duhet të protestojnë”, u shpreh ai nga foltorja e Kuvendit.
Deklaratat u bënë gjatë debatit parlamentar që pasoi protestën e shoqëruar me përplasje dhe përdorim molotovësh ndaj forcave të rendit.