Sali Berisha deklaroi se Edi Rama tentoi të bindte Erion Veliajn të mos ankimonte shkarkimin në Kushtetuese, por kryebashkiaku vendosi të ndjekë betejën ligjore.
Në një dalje për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas vendimit të Erion Veliajt për të ankimuara në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se kishte tentuar të bënte pazare me Veliajn për të shmangur këtë hap, por sipas tij, përpjekja ka dështuar.
“Edi Rama pasi futi Gjushin në qeli, u përpoq të bënte marrëveshje me Veliajn që ai të pranonte shkarkimin dhe të mos i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Duket qartë se nuk ia arriti, pasi Veliaj dorëzoi ankesën përmes avokatëve,” tha Berisha.
Ai shtoi se presidenti Bajram Begaj pritet të dekretojë datën e zgjedhjeve, duke e cilësuar si “kukull të Ramës”. Berisha siguroi se opozita është e përgatitur me kandidatë të denjë përballë atyre që i cilësoi si “simbol të korrupsionit”.
Duke ironizuar zgjedhjet e kaluara, Berisha përmendi rastin e Ogerta Manastirliut, të cilën e quajti “viktimë të dorëzuar nga Rama”, duke theksuar se kryeministri përdor njerëzit e tij për interesa personale.
Më tej, Berisha e lidhi çështjen e Veliajt me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri. Ai tha se dokumenti pasqyron realitetin e një narkoshteti, ku investimet e huaja janë zëvendësuar nga paratë e trafikut të drogës.
“Shqipëria është kthyer në parajsë të pastrimit të parave të karteleve. Raporti flet hapur për një model ekonomik që bazohet te narkotrafiku dhe korrupsioni qeveritar. Investitorët seriozë perëndimorë janë larguar dhe vendin e tyre e kanë marrë klanet kriminale,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, kompanitë e mëdha ndërkombëtare që dikur ndërtuan akse strategjike, investuan në kërkime të naftës apo zhvilluan projekte të mëdha në real estate, janë tërhequr nga Shqipëria për shkak të mungesës së konkurrencës dhe dominimit të parave të drogës.
Berisha paralajmëroi se kjo gjendje e rëndë e ekonomisë dhe kapja e shtetit nga grupet kriminale janë një rrezik për të ardhmen e vendit, duke e cilësuar raportin e DASH si një alarm të fortë për shoqërinë shqiptare.