Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nga Brukseli akuzon kryeministrin Rama dhe ministrin Hasani për përpjekje për të ndryshuar raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa paralajmëron një betejë shumëplanëshe dhe protesta për të kundërshtuar atë që ai e quan farsë elektorale në Shqipëri.
Në një deklaratë të bërë nga Brukseli, Sali Berisha ka ngritur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm Igli Hasani, duke theksuar se qeveria po përpiqet të ndryshojë përmbajtjen e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit. Sipas tij, këto përpjekje synojnë të ndikojnë perceptimin ndërkombëtar për procesin zgjedhor në Shqipëri.
Berisha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të zhvillojë një betejë shumëplanëshe kundër, siç e quan ai, “farsës elektorale” të organizuar nga qeveria. Ai paralajmëroi se do të përdoren të gjitha format e mundshme të angazhimit politik, përfshirë protestat, për të mbrojtur vullnetin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Në vijim të deklaratës së tij, Berisha nënvizoi se shqiptarët jashtë vendit kanë shprehur revoltë të thellë ndaj regjimit aktual dhe janë të vendosur të kontribuojnë për rrëzimin e tij. Ai falënderoi Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, veçanërisht kryetarin McAllister dhe eurodeputetin Gahler, për mbështetjen që i dhanë çështjes së Shqipërisë dhe për denoncimet që ata bënë ndaj mënyrës si u zhvilluan zgjedhjet e fundit.
Sipas Berishës, takimet intensive me eurodeputetë dhe drejtues të PPE-së gjatë qëndrimit në Bruksel, shërbyen për të prezantuar në mënyrë të qartë dhe të hapur rastin e Shqipërisë, ndërsa i informoi për presionet dhe ndërhyrjet që, sipas tij, janë bërë nga ana e qeverisë shqiptare pranë vëzhguesve të OSBE/ODIHR.
Ai vlerësoi edhe përqendrimin e madh që iu dha Shqipërisë në Asamblenë Politike të PPE, ku u kërkua sensibilizim i institucioneve ndërkombëtare për problematikat e zgjedhjeve dhe për rolin e politikës në bashkëpunim me krimin e organizuar.
Berisha theksoi se udhëtimi dyditor në Bruksel përmbushi qëllimin për të ngritur në institucionet më të larta të Europës shqetësimet për demokracinë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri. Po ashtu, ai bëri të ditur se janë diskutuar edhe plane konkrete me drejtuesit e PD për Brukselin, duke i bërë thirrje shqiptarëve në Europë të angazhohen për mbrojtjen e votës së tyre.
Në fund, Berisha paralajmëroi se “farsa elektorale” dhe ndërhyrjet në votën e diasporës nuk do të kalojnë pa përgjigje, duke siguruar se Partia Demokratike do të vijojë betejën e saj në të gjitha frontet, brenda dhe jashtë vendit.