Berisha: Rama hesht për tymrat helmues në Elbasan, ndërsa u ofron shqiptarëve si “shpërblim” shkarkimet në Vlorë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama për heshtjen e tij përballë një katastrofe mjedisore që po zhvillohet në Elbasan. Ai deklaroi se prej katër ditësh në landfillin e këtij qyteti digjen mbeturina, ndërkohë që qeveria, sipas tij, nuk ka reaguar.
Berisha tha se tymi helmues që çlirohet nga djegia e mbetjeve përbën një rrezik të madh për shëndetin e banorëve dhe akuzoi kreun e qeverisë për neglizhencë të qëllimshme. Ai theksoi se zjarri në inceneratorin e Elbasanit është prova më e qartë e dështimit dhe mashtrimit me këtë projekt që Rama e paraqiti si sukses qeveritar.
“Në vend që të flasë për katastrofën që ndodh në Elbasan, ai bën spektakël në Vlorë dhe Tiranë. Ndërkohë, shqiptarëve u thotë ‘hani kokat e drejtorëve’, si për të fshehur dështimet,” – u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri akuzoi qeverinë se ka shpërdoruar mbi 22 milionë euro për inceneratorin, i cili, sipas tij, nuk ka funksionuar asnjë ditë dhe ka përfunduar si një “rangullinë e ndryshkur”. Ai e cilësoi djegien e mbetjeve një nga krimet më të rënda mjedisore të 30 viteve të fundit.
Në deklaratën e tij, Berisha vuri theksin edhe te pozita gjeografike e Elbasanit, duke thënë se për shkak se qyteti ndodhet në një luginë të mbyllur, ndotja nga tymrat qëndron për orë të tëra mbi zonë, duke e bërë ndotjen edhe më të rrezikshme.
Ai gjithashtu kritikoi ndërhyrjet e qeverisë qendrore në qeverisjen vendore, duke i cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që garantojnë autonominë e pushtetit vendor.
Sipas Berishës, zjarri në Elbasan dhe shkarkimet në Vlorë janë përpjekje për të mbuluar dështimet dhe për të shmangur vëmendjen nga krizat reale. Ai paralajmëroi se pasiguria mjedisore dhe farsat zgjedhore do të sjellin, sipas tij, një revoltë të popullit kundër kësaj qeverie.