Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar të shpërfaqë akuza të ashpra ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë fushatës elektorale në Fier, duke e akuzuar atë për shpenzime luksi duke shpërdoruar taksat e qytetarëve.
Në një fjalim të tijin, Berisha e quajti Ballukun “Lubi” dhe e akuzoi se po sillet në Fier si “truproja e Edi Ramës”, duke synuar të mashtronte qytetarët për të fituar vota. Ai theksoi se pas fasadës, ajo po shpenzon shuma të mëdha parash për luksin e saj personal.
Berisha theksoi një shembull të paprecedentë për këto shpenzime, duke deklaruar se Balluku shpenzon 10 mijë euro në muaj për lavazhin e BMW-së së saj, duke e cilësuar këtë shifër si absurde dhe një tregues të shkëputjes së qeverisë nga realiteti i qytetarëve.
“Këtë Lubinë që vjen këtu dhe sillet si të ishte truproja e Edi Ramës, për të mashtruar dhe për të marrë vota, e dini ju sa harxhon për të pastruar makinën e saj? Me dokumente – jo me llafe – 10 mijë euro në muaj për lavazhin e BMW-së së saj,” tha Berisha.
Sipas tij, një shifër e tillë nuk është vetëm e pabesueshme, por tregon edhe një ndjenjë të thellë të shkëputjes nga realiteti i qytetarëve, të cilët përballen me vështirësi ekonomike çdo ditë. “Nuk kisha dëgjuar kurrë që të shpenzoheshin 10 mijë euro vetëm për larjen e makinës. Kjo është një arsye më shumë për të besuar se ata nuk mendojnë për qytetarët dhe se ekzistoni për ta,” shtoi Berisha.