Berat Buzhala për vizitën e Ivanka Trump: Shqiptarët janë me fat, resurset e shtetit nuk ruhen për turshi

Publicisti kosovar Berat Buzhala ka reaguar ashpër ndaj debatit të ndezur në Shqipëri lidhur me vizitën e Ivanka Trump, duke e konsideruar kritikën publike jo vetëm të pavend, por edhe politikisht të dëmshme. Në një qëndrim të drejtpërdrejtë, Buzhala shprehet se shqiptarët duhet ta konsiderojnë veten me fat që në tavolinë kanë njerëz me ndikim real global.

Sipas tij, pjesë e tryezës ku u diskutuan investime strategjike në jug të Shqipërisë, përveç kryeministrit Edi Rama, ka qenë edhe një prej djemve të biznesmenit Shefqet Kastrati, të cilin Buzhala e cilëson si “partnerin shqiptar të familjes Trump”. Ai thekson se kjo familje po i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve një nder të jashtëzakonshëm, edhe pse pranon se në të kaluarën ka qenë kritik ndaj tyre.

Në analizën e tij, Buzhala thekson se debati nuk duhet të fokusohet te xhelozitë politike apo retorika opozitare, por te realiteti i ekonomisë globale. Sipas tij, resurse natyrore kanë edhe vende si Irani apo Venezuela, por ato kanë mbetur pas pikërisht sepse nuk kanë ditur t’i përdorin për të ndërtuar aleanca, investime dhe ndikim ndërkombëtar. “Resurset e shtetit nuk ruhen për turshi,” nënvizon ai, duke shtuar se ato duhet të përdoren pikërisht për të krijuar miqësi dhe partneritete strategjike.

Buzhala shprehet i bindur se këto raporte të krijuara me familjen Trump dhe rrethin e saj do të kenë ndikim pozitiv edhe në çështje më të gjera politike dhe gjeopolitike, përfshirë edhe zhvillime që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në rajon. Ai thekson se biznesi dhe biznesmenët, sado të papëlqyer shpesh nga opinioni publik, janë ata që hapin dyer që politika shpesh nuk arrin t’i hapë.

Në këtë kuadër, publicisti kosovar thekson se Shqipëria nuk është as “narkoshtet” dhe as “Venezuelë”, siç pretendohet nga kritika politike, por për momentin një nga shtetet më stabile në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, sa më shpejt që opozitat, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ta kuptojnë këtë realitet, aq më e lehtë do të jetë për ta të ndërtojnë një alternativë politike funksionale.

Në përfundim, Buzhala e përmbledh qëndrimin e tij me një mesazh të qartë: shqiptarët janë me fat që sot kanë në tryezë dhe në territorin e tyre njerëz ndër më të fuqishmit në planet, dhe kjo është një mundësi që nuk duhet shpërdoruar me retorikë të cekët apo me frikë nga suksesi i të tjerëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033